Refugjatët, seks për mbijetesë në rrugët e Athinës
Në zemër të Athinës, ndërsa trotuaret gëlojnë nga kalimtarët, restorantet janë plot me turistë dhe nga metrotë dalin turma të mëdha njerëzish, disa hapa më tej është sheshi “Victoria”, që është kthyer në një botë tronditëse seksi dhe droge.
Ajo gjithmonë është njohur si zona e prostitucionit, ndërsa tani, me shtimin e refugjatëve, ajo është mbushur nga djem adoleshentë nga Lindja e Mesme, të cilët shesin trupin në këmbim të të hollave. Djemtë rrëfejnë se ajo është një lojë, gjithçka nis me një shikim, më pas një përshëndetje apo kërkesë për cigare.
Refugjatët e dëshpëruar e shohin si një nga të paktat mundësi për të fituar parà, që të largohen në mënyrë të paligjshme nga Greqia drejt vendeve të tjera të Europës. Një nga ata që kërkojnë arratisjen është edhe Aliu, një 17-vjeçar nga Afganistani. Ai erdhi në Europë duke shpresuar se do të arsimohej dhe do të merrte nënën e tij për t’u bashkuar. Por tani e gjen veten mes drogës dhe prostitucionit.
“I thashë vetes, erdha në Europë… Çfarë di të bëj tani? Unë nuk është se e bëj sepse dua. Nëse do të doja diçka, do të ishte të dilja me një vajzë, por nuk kam parà, nuk kam zgjidhje”, thotë Aliu, refugjat 17-vjeçar.
Paratë në këmbim të seksit fillojnë nga 3 euro.
“Disa ofrojnë 3 euro, disa 80 euro, por ka edhe nga ata që ofrojnë 100 euro. Unë nuk pranoj asnjë ofertë poshtë 60 eurove”, rrëfen refugjati.
Kur kujton nënën, Aliu nuk do të flasë.
“Jam gati për të qarë. Unë nuk dua të flas për nënën time”, u shpreh 17-vjeçari.