Samiti Brdo-Brijun, Ballkani Perëndimor gati për BE në 2030

“Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë gati për zgjerimin, jo më vonë se viti 2030”. Është ky një ndër konkluzionet e deklaratës së përbashkët të arritur në samitin e Brdo-Brijunit të zhvilluar në Maqedoninë e Veriut. Presidentët e rajonit bashkë me ata të Kroacisë e Sllovenisë diskutuan strategjitë e reja për afrimin me Unionin, ndërsa u pranua që zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale ishte një nga çështjet kryesore për tu adresuar. Propozimi i presidentit francez, Emmanuel Macron, për një BE me dy “klasa”, nuk u prit mirë nga dy shtetet anëtare që i vendosën bllokadë pa shkuar ende në Bruksel.

“Nuk e shoh se si mund të funksionojë kjo. Politikisht nuk është e realizueshme. Pra, Bashkimi Europian praktikisht e nxori Britaninë e Madhe nga blloku me shprehjen: Union gjithnjë e më i ngushtë, pra më shumë Europë. Më shumë Europë në Ballkan”, tha Zoran Milanoviç, president i Kroacisë.

“Nuk jam përkrahëse e vonesave për hyrjen në BE për shkak të pengesave në çështjet dypalëshe. Nuk jam dakord me qëndrimin e disa vendeve, që fillimisht të bëhet një marrëveshje dhe më pas të vazhdojnë negociatat. Këto procese duhet të zhvillohen njëkohësisht. Unë nuk jam një mbështetëse e Europës me dy shpejtësi”, tha Natasa Pirc Musar, presidente e Sllovenisë.

Presidenti Stevo Pendarovski, që organizoi eventin në Shkup, theksoi rëndësinë e krijimit të përspektivës që të rinjtë të qëndrojnë në rajon. Kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj, kërkoi që “përshpejtimi i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të arrihet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, të udhëhequr nga siguria dhe stabiliteti”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që vendit të saj t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ndërsa homologu i saj nga Serbia, Aleksandër Vuçiç, u “mburr” që për herë të parë në këtë samit nuk pati grindje mes palëve. “Problemet i lamë për të enjten në Bruksel”, tha ai.

SHKARKO APP