Sela shton presionin mbi Zaev për ligjin e gjuhës shqipe në Maqedoni

Partia PDSH – Lëvizja për Reformat po kërcënon me tërheqje nga koalicioni qeveritar në Maqedoni nëse nuk miratohet ligji që zgjeron përdorimin e shqipes zyrtare.

Qeveria e re reformatore e Maqedonisë po përballet me testin e parë të madh pasi partneri i saj në koalicion, PDSH- Lëvizja për Reformat, tha se do të largohej nga qeveria e udhëhequr nga Social Demokratët nëse kjo nuk arrin të miratojë ligjin që zgjat përdorimin zyrtar të shqipes deri në fillim të shtatorit.

“Kjo është një kërkesë që është me prioritet maksimal për shqiptarët dhe për partinë tonë. Nëse ligji nuk miratohet brenda një kohe të arsyeshme, do të rishikojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri,” tha partia të mërkurën, duke konfirmuar atë që lideri i saj, Zijadin Sela, njoftoi më herët të dielën.

PDSH – Lëvizja për Reformat është pjesë e një koalicioni të tre partive etnike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, e cila mori tre nga 120 vendet në parlamentin maqedonas në zgjedhjet e përgjithshme të 11 dhjetorit.

Nëse vetëm dy prej këtyre deputetëve largohen nga koalicioni qeverisës, atëherë LSDM nuk do të ketë shumicën parlamentare me 62 deputetë.

Partneri në koalicion i Selës, Vesel Memedi, kreu i Rilindjes Kombëtare Demokratike, RKD, tha se nuk kishte të njëjtin opinion me Selën për largimin nga qeveria. Por deputeti i tretë në koalicion, Surija Rashid, shihet si shumë afër Selës.

Zv. Kryeministri i Maqedonisë për Çështjet Europiane, Bujar Osmani, tha se të gjitha partitë partnere të qeverisë po punonin fort për ligjin e ri të gjuhës, që tashmë është vendosur në listën e prioriteteve të qeverisë për miratim në tre muajt e ardhshëm.

Por partia kryesore në pushtet, Social Demokratët dhe partia më e madhe etnike shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, këmbëngulin se projektligji duhet së pari të kontrollohet nga Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit, i njohur ndryshe si Komisioni i Venecias.

Osmani këmbënguli që dërgimi i projektit në Komisionin e Venecias nuk do të vononte miratimin e ligjit, të cilin ai tha se mund të dërgohej në parlament shumë shpejt.

“Ndërsa bëhet diskutimi parlamentar, do të marrim mendimin nga Komisioni i Venecias”, tha Osmani për portalin e lajmeve Makfax.

Ndërkohë, disa media kanë sugjeruar se një parti e vogël opozitare, Bashkimi Demokratik për Shqiptarët, PDSH, që fitoi dy vende në zgjedhje, mund të zëvendësojë partinë e Selës nëse ajo largohet. Megjithatë, PDSH nuk dha koment mbi këtë raport të mërkurën.

Spekulime të tilla janë ushqyer nga fakti se udhëheqësi i PDSH Menduh Thaçi ka takuar kryeministrin socialdemokrat Zoran Zaev dhe kreun e BDI-së Ali Ahmeti gjatë dy javëve të fundit.

Zyrtarisht u njoftua se krerët e partive diskutuan politikën aktuale dhe sfidat me të cilat ballafaqohen në zgjedhjet e ardhshme lokale të kësaj vjeshte.

Shqiptarët në Maqedoni përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së vendit prej 2.1 milionë banorësh – dhe kanë qenë prej kohësh të pakënaqur nga ajo që ata e shohin si statusin e tyre të klasit të dytë në vend.

Ligji i aktual për gjuhën e përkufizon shqipen si gjuhë zyrtare – por ajo e ka statusin vetëm në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë.

Në veri dhe perëndim të vendit, ku shqiptarët përbëjnë shumica në shumë zona, kjo nuk është një çështje shqetësuese. Megjithatë, në shumë zona të tjera të vendit, përqindja e shqiptarëve shpesh është më e ulët se 20 për qind.

Në marrëveshjen e arritur më herët këtë vit me partitë shqiptare, Zaev premtoi një ligj të ri që do të zgjeronte përdorimin zyrtar të shqipes në të gjithë vendin.birn

 

SHKARKO APP