Serbët ”radikal”, ikën nga BE-ja dhe Kosovën…
Mbi 80 për qind e qytetarëve të Serbisë nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës edhe sikur një gjë e tillë të ishte kusht për anëtarësimin e shtetit serb në Bashkimin Evropian, tregon një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane dhe i agjencisë Ninamedia në Beograd.
Sondazhi, i realizuar nga data 16 deri më 20 mars, me 1,203 të anketuar, nxjerr në pah se një e treta e tyre do të mbështesnin ndarjen e Kosovës, ndërsa 56 përqind jo. Pranimin e Kosovës nga Qeveria aktuale e Serbisë ose ndonjë e ardhshme e pret 26 përqind e qytetarëve serbë të anketuar, ndërsa 55 përqind e tyre konsideron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Vetëm 11 përqind e të anketuarve do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësim në BE, ndërsa 81 përqind jo. Tibor Moldvai, nga Instituti për Çështje Evropiane, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se qytetarët e arsimuar janë më të prirur për të mbështetur idetë që, sipas tij, do të zgjidhnin përfundimisht statusin e Kosovës, qoftë ai pozitiv apo negativ për Serbinë.
“Edhe pse 81 përqind e qytetarëve nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, kur flasim për gjeneratat e reja, ky numër është për 10 deri në 15 përqind më i ulët”, tha Moldvai.
Edhe disa qytetarë në Beograd, të anketuar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, ndajnë qëndrimin e shumicës që tregon sondazhi i lartpërmendur.
Të pyetur se a do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës si kusht për të hyrë në BE, ata thonë ‘jo’. “Kurrë. Serbia pa Kosovën nuk është askush dhe asgjë”, tha Ilija Zhivkoviq. “Jo, Kosova ka qenë gjithmonë hapësirë e jona”, tha një qytetare tjetër me emrin Lilana.
Gjetjet e sondazhit nuk janë befasuese për Dragan Popoviqin, nga Qendra për Politika Praktike në Serbi.
“Kurrë në këtë shoqëri nuk ka pasur debat të vërtetë se përse Serbia e ka humbur Kosovën, çfarë ka ndodhur atje, përse janë thyer lidhjet midis dy shoqërive e të tjera. Në këtë kontekst dhe duke shtuar këtu rritjen e tensioneve dhe forcimin e retorikës patriotike në muajt e fundit, nuk mund të ketë rezultate të tjera të sondazhit”, tha Popoviq.
Në javët e ardhshme pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shpallë para opinionit propozimin e tij për, siç thuhet, zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Para Prishtinës dhe Beogradit është edhe obligimi për të nënshkruar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve. /REL/