Serbia furnizohet me pajisje të rënda ushtarake ruse
Automjetet e blinduara ushtarake Ruse kanë nisur të mbërrijnë në Serbi ndërsa deri në fund të vitit pajisje të tjera ushtarake si armë të kalibrave të ndryshme do të dërgohen në Nish. Në ceremoninë e pranimit te pajisjeve ushtarake ishte i pranishëm presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili konfirmoi per mediat vendase se disa pajisje ushtarake ruse që ishin nisur për në Serbi ishin bllokuar nga Rumania përmes rrugës së Danubit për shkak të sanksioneve të BE-se në lidhje me rajonin e Krimesë.
Vuçiç nuk tregoi se si donacioni i automjeteve të blinduara ruse iu dorëzua Serbisë, por tha se kjo është bërë “në përputhje me ligjin dhe kontratën e lidhur me atë vend”.
“Ato kanë mbërritur në vendin tonë me gjithë kundërshtimet e disave. Këto na duhen për të ruajtur sovranitetin. Nuk kemi plane për pushtim, këto na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë”, tha Vuçiç. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 27 korrik se marrëveshja ushtarake-teknike me Rusinë po zbatohet sipas afatit. Presidenti Vuçiç e falënderoi Rusinë për donacionin dhe presidentin rus, Vladimir Putin.
“Tani është në modë të flitet kundër Putinit. Unë nuk dua të jem në modë, përkundrazi dua të jem falënderues ndaj Putinit”, tha presidenti Serb. Ai njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera BRDM-2MS dhe T-72 nga Rusia.