Serbia “pengu i Millorad Dodikut”?
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq do të vizitojë Republikën Serpska me 9 janar. Por kjo vizitë mund të thellojë problemet në Ballkan.
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq nuk e kanë mbështetur në shtator referendumin e Republikës Serpska. Megjithatë Nikoliqi ka vendosur që me 9 janar të shkojë për vizitë në Banjallukë ku do të shënohet dita e Republikës Serpska (RS), së bashku me disa ministra të qeverisë serbe. Ndërsa Vuçiqi aktualisht gjendet për vizitë në Indi dhe nuk do të shkojë në Banjallukë. Ai tha se shkuarja në këtë manifestim është një çështje private e secilit. “Serbia duhet të ruajë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, aq sa e ruan edhe integritetin e RS”.
Vendimi i Nikoliqit sërish ka tensionuar raportet mes Serbisë dhe B-H. Anëtari i Presidencës Bakir Izetbegoviq ka kërkuar prej Nikoliqit që të mendojë mirë nëse duhet të shkojë në Banjallukë, duke e kujtuar ate se në shkurt do të duhej të vizitojë edhe Sarajevën. Nikoliqi është përgjigjur se nuk e ka ndërmendë të anulojë këtë vizitë në Banjallukë. Për gazetën “Kurir” ai tha se nuk do t’u nënshtrohet shantazheve dhe se kjo vizitë nuk cënon raportet e Serbisë me B-H.
Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të B-H, është anuluar 9 janari si dita e RS. Ndërsa festimi i kësaj dite ka rikujtuar pohimet e presidentit të RS Millorad Dodik se këtë vit do të shpallë edhe referendim për shkëputjen e RS nga B-H, që edhe më shumë ka ashpërsuar raprotet në këtë vend.
Serbia mbahet peng nga Dodiku
„Serbia edhe më tej mbahet peng nga nacionalizmi, ndërsa në raportet me B-H është penge e Dodikut. Sjellja inatçeshe e Nikoliqit nuk të befason, sepse gjithmonë ka punuar kundër normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe vendeve të rajonit, që do të nënkuptonte edhe pajtimin dhe fillimin e bashkëpunimit të ngushtë mes këtyre vendeve”, thotë Jovan Najdenov, nga partia LDP në Serbi, në bisedë me DW.
Vendimi i Nikoliqit që të shkojë në Banjallukë nuk e ka befasuar as analistin Vuk Stankoviq. Por ai nuk e beson ndonjë përkeqësim edhe më të madh në raportet mes Serbisë dhe B-H. „Raportet nuk do të përmirësoheshin edhe sikur Nikoliqi të mos shkonte në Banjallukë, sepse raportet mes serbëve dhe bosnjakëve në këtë vend janë në një krizë latente”. Ndërsa Najdenov mendon se RS nuk do të jetë e lumtur nëse tensionohen edhe më shumë raportet me pjesët tjera të B-H.
Shqetësimet
Referendumi për ditën e RS të rikujton kohën e vitit 1992 kur ka shpërthyer lufta në këtë vend. “Asokohe referendumet kanë rezultuar me luftë. Sitata në rajon është në përgjithësi shumë e tendosur dhe nuk jam e sigurtë se e gjitha do të përfundojë pa pasoja”, thotë gazetarja e nohur Gordana Susha. Paralajmërimi i Dodikut se me 2017 mund të ketë referendum për shkëputjen e RS nga B-H, ka shkaktuar kritika të ashpra në disa pjesë të publikut në Serbi.
„Veprimet e Dodikut nuk befasojnë, por Serbia duhet të veprojë dhe të ndalojë këto çmenduri të Dodikut”, thotë Najdenov. Por Dejan Vuk Stankoviq nuk është i shqetësuar për këtë mundësi: “Ky referendum nuk është i sigurtë sepse nuk ka mbështetjen e askujt në rajon, pra as të Serbisë. Nuk ka ndonjë mbështetje të hapur as nga Rusia, pas së cilës fshihet Dodiku”. Stankoviq mendon se prioritetet e tanishme janë paqa, stabiliteti dhe zhvillimi në B-H dhe në rajon.
Referendumi për shkëputjen e RS nga B-H do të cënonte ekzistencën e këtij shteti dhe do të ashpërsonte boshnjakët dhe kroatët. “Në Ballkan këto gjëra zhvillohen shpejt. Retorika e ashpër politike çon tek distanca politike, nacionalizmi, ndarjet hermetike dhe në fund – deri tek konfliktet”, thotë për DW Dejan Vuk Stankoviq. Ndaj Najdenov mendon se presidenti i Serbisë Nikoliq duhet të punojë drejt shtendosjes së raporteve dhe të shkojë për vizitë në Sarajevë dhe Zagreb, e jo në Banjallukë.
Politika e Serbisë në vitin 2017
Ndonëse viti ka filluar me tendosje mes Beogradit dhe Sarajevës, Dejan Vuk Stankoviq nuk pret ndonjë ndryshim serioz në raportet mes këtyre dy vendeve. “Politika nuk do të ndryshojë, Serbia do të vazhdojë me mbështetjen e Marrëveshjes së Dejtonit, si bazë për funksionimin e B-H. Do të respektojë pra integritetin territorial dhe sovranitetin e B-H, por me kusht që të respektohen edhe të drejtat e serbëve në Bosnje”.
Jovan Najdenov nuk është i sigurtë se në ç’drejtim do të shkojnë këto raporte. Por mendon se Serbia duhet të punojë për normalizimin e raproteve me vendet fqinje dhe ato në rajon. “Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për B-H, sepse e shohim që ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, për shkak të pozitës së tij politike, po e futë Serbinë në grindje me vendet tjera të rajonit: Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kroacinë”.
Serbia duhet të bashkëpunojë me vendet e rajonit dhe t’i japë fund të gjitha konflikteve. “Politikanët e Serbisë dhe ata të vendeve të rajonit duhet të kuptojnë se politika e konflikteve nuk mund të jetë alternativë e jetës normale, sepse të gjithë e dinë se Ballkani nuk mund të përparojë pa një jetë normale dhe pa pajtimin mes vendeve të rajonit”, pohon Jovan Najdenov./DW