SHBA zgjedh Greqinë si shtyllë strategjike në Ballkan, çon si ambasador ‘buldozierin’ Hoyt Brian Yee

Greqia është shtylla e strategjisë amerikane në rajonin e Ballkanit. Këtë pohon në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt, referohet Respublika.

Sipas tij caktimi si ambasador në Greqi i zv.ndihmës sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europën, Hoyt Brian Yee tregon se SHBA po synon të investojë në këtë vend që e shikon me përparësi në Ballkan. Pyatt është treguar shumë optimist kur vjen puna për investimet amerikane: ai ka folur për Selanikun, për gazsjellësin TAP dhe seksionin greko-bullgar (IGB). Pyatt po ashtu ka shprehur gatishmërinë e biznesit amerikan për të investuar në portin e Alexandroupoli që është terminal në këtë kontekst. Bëhet fjalë për shprehjen e interesit nga Exxon Mobile dhe nga Energean; ky i fundit ka marrë së fundmi miratimin për të nisur kërkimet në detin Jon dhe aktualisht operon në Greqinë e Veriut.

I pyetur mbi rolin e Turqisë në Mesdheun Lindor, ambasadori amerikan ka përcjellë si pikë të parë, kundërshtimin amerikan për një gazsjellës të dytë për Turkish Stream.

“Ne e shohim atë si një tjetër rrugë, njësoj si Rryma Veriore për Europën, për të zgjeruar varësinë nga gazi rus në një mënyrë që është keq për sigurinë europiane dhe për rritjen ekonomike të Europës. Turqia me përkufizim është pjesë e Korridorit të Jugut. E vetmja rrugë që gazi të vijë nga Azerbajxhani në Greqi për TAP është duke kaluar në territorin turk, kështu që këtu ka një rol natyral…Kjo është arsyeja që ne kemi qenë mbështetës kaq të mëdhenj të TAP, sepse krijon dinamika për Greqinë, Italinë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor”, shprehet ambasadori amerikan në Greqi.

Ai ka shprehur vlerësime për qëndrimin grek në raport me Turqinë, duke konsideruar se Turiqa, duhet, ashtu siç propozon Greqia, të qëndrojë në institucionet perëndimore dhe me Perëndimin.

SHKARKO APP