Shënohet viktima e parë nga zjarret në Maqedoninë e Veriut
Shënohet viktima e pare nga zjarret në Maqedoninë e Veriut. Një grua 59-vjeçare nga fshati Çellopek në Komunën e Staro Nagoriçanës, ka humbur jetën për shkak të zjarreve. Autoritetet bën të ditur se viktima e identifikuar si Stojanka, pasi flakët kapluan shtëpinë e saj, nga paniku ishte mbyllur në një dhomë të shtëpisë.
Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë vendin për 30 ditë, për shkak të gjendjes alarmante të shkaktuar nga zjarret që kanë kapluar vendin gjatë ditëve të fundit, një pjesë e të cilave ende janë aktive.
“Vendimi u miratua në bazë të nevojës së shfrytëzimit racional të burimeve nacionale dhe veprimit koordinues të të gjitha institucioneve të interesuara, për shkak të paraqitjes së madhe të zjarreve dhe parandalimit të përhapjes së tyre”, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Hoxha.
Në bazë të të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza në Maqedoninë e Veriut, mbi dhjetë zjarre janë aktive, ndërkohë që situatë mbetet serioze në Komunën e Makedonski Brodit, si dhe në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës. Ekipet zjarrfikëse janë angazhuar dhe në hapësirat pyjore në rajonin e Berovës, Koçanit dhe Vallandovës. Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se në shuarjen e zjarreve, krahas Qendrës për Menaxhim me Kriza, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, janë angazhuar të gjitha kapacitetet me të cilat disponon pushteti vendor, Armata maqedonase, policia dhe qytetarët që janë paraqitur si vullnetarë për të ndihmuar.