Shkup: Formohet ekipi për luftë kundër krimit dhe korrupsionit
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur për formimin e një ekipi operativ për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ekipi do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, ndërsa udhëheqës do të jetë zëvëndës-kryeministri dhe ministri i punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Pjesë e ekipit do të jenë edhe drejtoritë e policisë financiare, të drejtorisë së të ardhurave publike, të doganave, të agjencisë së sigurisë kombëtare dhe të drejtorisë së sigurisë dhe kundër-zbulimit. “Me këtë vendim Qeveria e Maqedonisë së Veriut dëshmon vendosmërinë e saj të fuqishme për luftë kundër krimit dhe korrupsionit si përcaktim strategjik i punës së saj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ekipi operativ do të jetë në dispozicion të plotë të organeve të ndjekjes penale dhe të gjykatave për realizimin e detyrimeve të tyre ligjore. Vendimi për formimin e këtij trupi vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me skandale të rënda, si ai i njohur me emrin “Zhvatja”, ku një afaristi i janë marrur 1.5 milion euro, për t’ia lehtësuar atij procesin gjyqësor për një vepër penale.
Në këtë skandal dyshohet të jetë përfshirë edhe kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.