Shtypi serb: Terr*ristët e Kurtit vr*sin serbët. Rusia: Po vëzhgojmë

Ngjarjet në veriun e Kosovës janë në faqen e parë të mediave serbe, ku Policia e Kosovës konsiderohet si terroristë, ndërsa kryeministri Albin Kurti, fajtor për vrasjet. ”Terroristët e Kurtit vrasin serbët”, ka shkruar media serbe “Alo”, ndërsa media tjetër “Informer” ka shkruar “Gjaku është në duart e Kurtit”.

Analisti boshnjak dhe pedagogu i Universitetit të Vjenës, Vedran Xhihiç në rrjetin e tij social ka publikuar disa prej titujve të mediave. “Dita e parë pas sulmit nga grupi i armatosur serb në veri të Kosovës në mediat tabloide serbe. Mirë se vini në universin paralel propagandistik të regjimit në Serbi”, ka shkruar Xhihiç.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka bërë fajtor Kurtin për ngjarjet dhe tensionet Kosovë-Serbi. “Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është ai që dëshiron konflikt dhe luftë. Ai dëshiron të na fusë në luftë me NATO-n”, ka thënë Vuçiç.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po organizon një takim urgjent në Bruksel. Në tryezë pjesëmarrës është edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe këshilltarë diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Kurse Kremlini zyrtar thotë se po vëzhgon nga afër gjendjen. “Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve, gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

SHKARKO APP