Siguria e Ballkanit, “WT”: Destabilizimi prek gjithë Europën
Stabiliteti i Ballkanit lidhet fortë me sigurinë e Europës, por për “Washington Times”, problemet e këtij rajoni mund të kthehen në kërcënim edhe ndaj sigurisë amerikane.
I ngjeshur në cepin jug-lindor të Europës, ai është mijëra km larg bregut lindor të SHBA-së. Për këtë arsye do ta falnim amerikanin e thjeshtë nëse do të pyeste: po ç’lidhje kam unë me këtë rajon? Arsyet, shpjegon artikulli, janë disa.
“Ky rajon ka qenë historikisht një vatër e nxehtë për shpërthimin e konflikteve në Europë, disa prej të cilave kanë tërhequr në luftime edhe trupat amerikane. Ky është një nga shkaqet përse Amerika ka investuar atje miliarda dollarë ndihma që prej fundit të Luftës së Ftohtë”, vazhdon shkrimi.
Disa pjesë të rajonit kanë qenë gjithashtu magnete për ekstremizmin islamik, ndërsa Rusia shfaqet aty gjithmonë e më aktive, duke u përpjekur të minojë interesat amerikane.
Situata e Maqedonisë, thuhet në artikullin e Luke Coffey, ku paraliza politike po trondit themelet demokratike të vendit, duhet të shërbejë si thirrje zgjimi për politikëbërësit amerikanë.
Më tej, vëmendja spostohet tek Shqipëria. Këtu, sipas Coffeyt, do të ishte shumë e rrezikshme nëse krijohet “stuhia perfekte”. “Si anëtare e NATO-s, gjendja e saj ka më shumë peshë sepse dhe kërcënimi i destabilizimit rajonal do të ishte më i madh”, thotë artikulli.
Nëse gjërat shkojnë keq, Rusia mbetet në gadishmëri të ndërhyjë për të rregulluar gjoja situatën. Uashingtoni duhet t’i kushtojë patjetër më shumë vëmendje asaj që po ndodh në Ballkan, përfundon artikulli, në të kundërt investimet masive të pas-Luftës së Ftohtë mund të na shkojnë dëm.
/ Top Channel