Situata e rëndë në Maqedoni/ Reagon për herë të parë Presidenti Ivanov
Pas situatës së rëndë që ka mbërthyer Kuvendin në Maqedoni, ka ardhur edhe reagimi i Presidentit Ivanov.
Përmes një njoftimi për shtyp, Ivanov bëri thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Presidenti i Maqedonisë u kërkoi krerëve të partive politike që nesër të mblidhen në zyrën e tij dhe të diskutojnë për mundësitë e daljes nga kriza politike.
“Bëj apel për uljen e tensioneve. U bëj thirrje të gjitha institucioneve që të respektojnë Kushtetutën dhe Ligjet e Maqedonisë. Secili duhet të jetë i përgjegjshëm për hapat e vetë. Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm me ruajtjen e karakterit unitarë të shtetit. Nuk ka çështje për të cilën nuk mund të arrihet zgjidhje përmes dialogut.
Andaj i ftoj liderët e partive politike që nesër të vijnë në kabinetin tim që ti shqyrtojmë të gjitha opsionet për dalje nga kjo krizë. Liderët e kanë marrë besimin e qytetarëve dhe janë më të thirrurit për të gjetur zgjidhje. Askush nga jashtë nuk do ti zgjidh problemet tona në rast se ne nuk i zgjidhim vetë”, deklaron Presidenti Ivanov.