Situata me Serbinë, Osmani: Nuk shkëmbehet territori me dikë që ka bërë gjenocid me popullin tënd

Mes tensioneve në marrëdhëniet diplomatike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pretendime të qarta territoriale karshi Kosovës dhe shteteve tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor.

Osmani në një intervistë për “Veçernji List”, ka thënë se Vuçiçi po synon të destabilizojë rajonin për t’i arritur qëllimet, porse Kosova me forcat e saja dhe me ndihmën e NATO-s do t’i parandalojë këto skenarë. Osmani është pyetur për dërgimin e Ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Sigurisht se veprimet e Vuçiqit janë lëvizje shqetësuese, jo vetëm për ne, por edhe për rajonin e gjerë, sepse synimi i tij është të destabilizojë. Ai dëshiron të bllokojë, që rajoni ynë të mos marrë rrugën atlantike, e në të njëjtën kohë, kjo është edhe dëshirë e Rusisë. Rusët duan ta shohin Ballkanin Perëndimor të destabiliziuar, e Vuçiçi me politikën e tij po i bën favor të madh Vladimir Putinit.

Luan si bashkëpunëtor i Putinit, kështu që dërgon ushtri në kufi, bashkëpunon me forca paramilitare duke krijuar probleme, e me këtë dëshmon jo vetëm synimet e veta por edhe të Putinit. Është e rrezikshme të kesh një fqinje të tillë si Serbia, për këtë arsye ne po punojmë në mundësitë tona mbrojtëse, por në Kosovë është edhe NATO që të ndalojë skenarë të caktuar.

Jam e bindur se në Kosovë do të ketë paqe e stabilitet të cilën do ta gëzojnë qytetarët, e do të bëjmë edhe reformat e nevojshme që do të na sjellin drejt integrimeve euroatlantike. Vuçiqi do të tentojë me përpjekjet destabilizuese, por do të dështojë”, ka thënë Osmani.

SHKARKO APP