Situata në veri të Kosovës, Kurti-Vuçiç takim të dielën në Bruksel
Nuk ka tërheqje nga Bashkimi Europian për të ulur në një tryezë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sot u bë me dije se një takim është caktuar në Bruksel, kjo në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës që zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.
Këtë e ka konfirmuar vetë zëdhënësi i BE-së. Takimi pritet të mbahet të dielën në mbrëma ose në mëngjesin e ditës së hënë të 21 nëntorit, datën kur fillon edhe faza e dytë e implementimit të vendimit për targat, gjobitja.
Aktualisht zyrtarët europianë janë duke zhvilluar diskutime të dendura me të dyja palët për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit e serbëve braktisën institucionet e vendit, pasi autoritetet e Kosovës filluan me një nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.