Situata në Veriun e Kosovës, qeveria dhe opozita përplasen për barrikadat
Në Kuvendin e Kosovës, ka patur debate të forta mes qeverisë dhe opozitës për situatën në Veriun e Kosovës. Deputeti Vetëvendosjes, Luan Aliu tha se edhe 23 vitesh Serbia ende po kërcënon me luftë dhe me rikthim të forcave ushtarake që gjatë viteve ’90 kryen gjenocid në Kosovë.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se Kosova nuk pati këtë vit asnjë njohje duke e quajtur këtë dështim të politikës së jashtme. Deputet i LDK-së Anton Quni tha se situata aktuale ne veri i shërben Serbisë e Rusisë e më së paku Kosovës.
Rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të paralizuara për gati afër dy javë si rezultat i barrikadave që janë vendosur nga serbët lokalë. Policia e Kosovës që po kujdeset për sigurinë dhe rendin në atë pjesë kohë pas kohe po asistohet nga KFOR-i dhe EULEX-i.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se kusht për heqjen e tyre është formimi i Asociacionit. Ish -kryetari i Listës Srpska Aleksandar Jabllanoviç thotë se në atë pjesë po zgjerohen dhe riparohen rrugët e vjetra që sipas tij tregon se barrikadat nuk hiqen shpejt.