Sot 24 vjet nga masakra e Srebrenicës

Si sot 24 vite më parë, mbi 8 mijë burra, djem dhe gra boshnjake u vranë në atë që njihet si Masakra e Srebrenicës. Gjenocidi që pati për objektiv popullsinë myslimane të vendit u krye nga forcat serbo-boshnjake, edhe me ndihmën e ish-Jugosllavisë. Kujtimi i viktimave nderohet sot në qendrën përkujtimore të Potoçarit në Srebrenicë.

Bosnjë-Hercegovina shënoi 24-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Gjenocidi që nisi më 11 korrik 1995 konsiderohet si një nga më të rëndët në historinë moderne europiane.

Ai solli vdekjen e mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë të moshës 12 deri 77 vjeç, të përndjekur nga fillimvitet 90 kur nisën konfliktet etnike në vend.

Ata u vranë masivisht nga forcat serboboshnjake nën urdhrat e komandant Ratko Mladiç, me mbështetjen edhe të ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviç dhe homologut serboboshnjak, Radovan Karaxhiç, të dënuar më vonë për krime lufte.

Trupat e viktimave u hodhën nëpër varre masive dhe pyjet përreth dhe identifikimi i tyre vazhdon edhe sot.

Të enjten, me rastin e përvjetorit të masakrës, në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen eshtrat e 33 viktimave të gjetura ndër vite.

Bashkimi Europian doli me një deklaratë zyrtare, duke theksuar nevojën e ndëshkimit të së kaluarës tragjike dhe kundër rishkrimit të historisë së vendit.

Një mesazh ngushëllimi për viktimat ndau edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili foli për drejtësi të munguar ndaj barbarive të ish-regjimit serb në Ballkan.

Një ditë më parë, rreth gjashtë mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota udhëhoqën një marshim paqeje në drejtim të qendrës përkujtimore Potoçari në Srebrenicë.

Aktualisht aty janë varrosur eshtrat e mbi 6,600 viktimave të gjenocidit serb, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë mbeten të zhdukur.

SHKARKO APP