Sot Greqia vendos mbi fatin e Paktit të Prespës
Parlamenti i Greqisë ka shtyrë për sot votimin mbi marrëveshjen historike për emrin e Maqedonisë, pasi ka një numër të madh folësish gjatë debatit tejet të polarizuar.
Debati parlamentar ishte caktuar të përfundojë më 24 janar, por zyra e kryetarit të Parlamentit grek njoftoi se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’i lejuar të gjithë deputetët të regjistrohen gjatë debatit. Përplasjet kanë qenë të mëdha dhe kanë rrezikuar edhe vetë qeverinë greke, pasi partneri i vogël i koalicionit qeveritar, kreu i “Grekëve të pavarur”, Panos Kammenos, është tërhequr nga qeveria për shkak të kësaj marrëveshjeje, të cilën e ka quajtur katastrofike për Greqinë.
Qeveria e Kryeministrit grek, Alexis Tsipras, dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, arritën marrëveshje në qershor të vitit 2018 për të ndryshuar emrin e Republikës ish-Jugosllave në Maqedonia Veriore, duke u dhënë fund mosmarrëveshjeve për emrin që kanë ekzistuar për disa dekada. Sipas marrëveshjes, pas ndryshimit të emrit Greqia nuk do të jetë më pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, siç ka qenë deri tani.
Të premten gjatë votimit, Parlamenti grek pritet të marrë një vendim historik, me parashikimet se marrëveshja për riemërimin e Maqedonisë do të mbështetet. Nëse deputetët grekë bien dakord, fqinj i tyre verior që është vetëquajtur Maqedoni, pas shkëputjes nga ish– Jugosllavia do të quhet Republika e Maqedonisë Veriore. U deshën 27 vite mosmarrëveshje të vazhdueshme dhe negociata pafund për të arritur në këtë pakt. Marrëveshja u ratifikua në Maqedoni dhe tani pritet të arrijë në fazën finale në Athinë për të hyrë në fuqi.
Me një diferencë shumë të vogël votash, Tsipras besohet se do t’i arrijë shifrat për ta miratuar këtë pakt të përshëndetur gjerësisht në Bashkimin Europian. Opozita greke beson se me këtë emërtim, në vitet e ardhshme fqinji i tyre verior do të ketë pretendime territoriale ndaj një krahine në Veri të Greqisë me të njëjtin emër, Maqedoni, si dhe pretendime historike. Krahina e Maqedonisë ka ekzistuar prej kohësh si një rajon verior në Greqi, që përfshin qytetin e dytë më të madh grek, Selanikun. Por konflikti mori fund me marrëveshjen e Prespës dhe pritet të hyjë në fuqi pas miratimit të sotëm në Kuvendin e Greqisë.