Stevo Pendarovski, për Radio Evropa e Lirë: Bullgaria mund ta përsërisë veton për integrim

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate, nuk beson se vendi do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç deklarojnë shumë përfaqësues të partive tjera politike.

“Me bllokadën bullgare dhe, për fat të keq, me konsensusin e plotë që është ende i vlefshëm dhe me shumë gjasa nuk do të ndryshojë në kuadër të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus, kam frikë se nesër Bullgaria mund sërish të përsërisë veton ndaj Maqedonisë së Veriut”, thotë Pendarovski në një intervistë për Radion Evropian e Lirë.

Kandidati për president që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate dhe shumë parti tjera më të vogla dhe organizata joqeveritare, si problem shqetësues për Maqedoninë e Veriut e thekson humbjen e besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore që lanë të lirë mbi 200 ish-zyrtarë të lartë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

“Fatkeqësisht, në vitin e fundit nuk kemi bërë ndonjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe këtu mendoj se vlerësimi është absolut, edhe në opinionin e gjerë, edhe në Bruksel, edhe në Shkup, se këtu kemi dështuar më së shumti”, thotë Pendarovski.

Duke folur për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut, Pendarovski thotë ai nuk është në nivelin që ishte në vitin 2018 kur u mbajt referendumi për çështjen e emrit.

“Kjo nuk do të thotë se sot nuk kemi ndikim rus, i cili vjen më së shumti përmes rrjeteve sociale. Vitin e kaluar kemi pasur disa sulme të rënda kibernetike ndaj institucioneve vitale… megjithatë, ende nuk është në nivelin që ishte më 2018 dhe 2019”, thotë Pendarovski.

Ai në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill, e në veçanti në rundin e dytë që do të mbahet më 8 maj, pret votat e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Pendarovski, në fushatën tuaj për president e keni një narrativë se në mandatin që po kalon “nuk keni bërë asnjë gabim strategjik” edhe pse, nga ana tjetër, në fjalimin tuaj të fundit vjetor në Kuvend deklaruat se “nuk jeni pa mëkate” dhe se ndoshta duhet të kishit vepruar ndryshe kur merrnit disa vendime. Për cilat vendime në veçanti nuk jeni të sigurt dhe mendoni se mund të keni bërë një gabim?

Stevo Pendarovski: Këtë tezë që e përmendni nga fjalimi vjetor, e bazoj në mitingjet me qytetarët në kuadër të fushatës. Së pari, ne nisemi nga supozimi se nuk ka asnjë person që është pa mëkat. Sigurisht, çdo person i gjallë ndonjëherë bën gabime. Megjithatë, ndryshimi në dy tezat që përmendni është se unë them që nuk kam bërë një gabim strategjik, një gabim i madh që do ta kthente vendin prapa.

Nuk e kam problem ta them para publikut të gjerë dhe e kam thënë, ka pasur disa momente që mund të kisha vepruar ndryshe. Një nga ato momente është çështja e vetingut apo kontrollit të pasurisë së zyrtarëve, në radhë të parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilën jam angazhuar në vitin 2016 si titullar në njësinë e parë të zgjedhur dhe në fund dëgjuam partnerët tanë strategjikë nga Brukseli dhe nuk e bëmë atë proces.

Duke parë rezultatet sot, pas 7-8 vjetësh, që nga viti 2016, zgjedhjet parlamentare dhe besimin e qytetarëve që është afër zeros në sistemin gjyqësor, mendoj se duhej ta kisha, edhe pse nuk kam qenë në pozicion për të vendosur – nuk isha as kryeministër i asaj kohe, as president – mendoj se duhej të ishim më këmbëngulës dhe të thoshim, pavarësisht përvojave negative që na thanë nga Shqipëria në atë kohë.

Do të ishte më mirë të kishim një të tretën, siç ndodhi në Shqipëri, të gjyqtarëve të verifikuar dhe me dinjitet, të cilët do të dinë të gjykojnë në mënyrë të paanshme, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, sesa të kishim sot një strukturë gjyqësore në të cilën, për fat të keq, qytetarët janë dyshues ndaj të gjithëve.

Edhe pse, sigurisht, shumica e njerëzve atje janë të ndershëm, punojnë me rrogë dhe janë profesionistë, disa prej tyre profesionistë të lartë, por, thjesht është krijuar perceptimi se nuk kanë mbetur gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, të cilët gjykojnë, apo gjykojnë vetëm sipas diktatit të qendrave të pushtetit politik dhe ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se ju ende këmbëngulni për korrigjimin e vendimit, me të cilin keni dekretuar ndryshimet në Kodin Penal?

Stevo Pendarovski: Po, po. Pra, shikoni, në këtë pjesë mund të debatojmë sa të duam, por unë mendoj se problemi me gjendjen gjyqësore dhe besimin e qytetarëve në atë sistem gjyqësor është në një nivel të tillë, jo për shkak të ligjeve, por për shkak të njerëzve që i zbatojnë ose jo ligjet, ose i zbatojnë ato në mënyrë selektive.

Një gjë vlen për ata që janë në pozitë apo pushtet, një tjetër gjë vlen për ata që janë shtresa më të ulëta shoqërore, le të themi, ose nuk kanë lidhje me politikën.

Ja një shembull konkret.

Kemi disa raste të njohura publikisht të figurave kryesore politike që kanë qenë të përfshira në disa nga ato procese. Një prej tyre është edhe rasti i “Maxhar Telekom”, të cilin askush nuk e përmend në lidhje me ndryshimet e fundit në Kodin Penal. Kjo çështje është gjykuar për 12 vjet e gjysmë. Nuk ka asnjë gjykim përfundimtar.

Ndërkohë, gjykata në Nju Jork ka vendosur për disa prej tyre dhe ka bërë një marrëveshje gjyqësore për disa prej tyre. Pra, 5-6 vjet më parë, procedura në Amerikën e largët përfundoi për gjërat që ndodhën këtu.

Dhe, tani, a është faji te ndryshimet në Kodin Penal, siç themi ne, apo gjyqtarët, apo gjyqtari nuk e di as kush është ai që e ka mbajtur çështjen në sirtar dhe nuk ka vendosur për një aferë që pati epilog në gjykatën e Nju Jorkut?

Radio Evropa e Lirë: Në program tuaj ju thoni se është “koha të godasësh rëndë kriminelët, se ata do ta shkatërrojnë vendin”. Si do të ndodhë që kriminelët të dënohen kur me nënshkrimin e dekretit me ndryshimet në Kodin Penal, diku rreth 200 të pandehur në çështje të ndryshme gjyqësore do të marrin një lloj amnistie të heshtur?

Stevo Pendarovski: Pra, ato lëndë vjetërsohen sepse gjyqtarët i kanë mbajtur në sirtar prej vitesh. Më e madhja nga ato 200 lëndë që ju i theksoni, për të mos thënë 95 për qind, janë të ish-Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Kjo prokurori u krijua në shtator të vitit 2015. Kanë kaluar gati tetë vjet nga ndryshimet në Kodin Penal. Pse asnjëri prej tyre nuk është dënuar dhe të vuajë dënimin, nëse është fajtor – i shpallur nga gjykata, sigurisht?!

 

Pra, ju mund të argumentoni deri nesër ose unë mund të argumentoj se duhet t’u japim edhe 28 vjet atyre gjyqtarëve, jo të gjithëve natyrisht, që i gjykuan ato çështje dhe le të themi t’u japim edhe 28 ose 38 vjet, do t’i kishin dënuar disi. Jo, i mbajnë në sirtar me këmbëngulje për 7-8 vjet. Pra, ato raste të PSP-së janë ende përpara se ky grupim politik, pjesë e të cilit jam unë, të vijë në pushtet në vitin 2016, pra maj të vitit 2017.

Pse i mbanin në sirtar? Le të jemi të qartë për këtë. Nuk mendoj se koha ishte shumë e shkurtër për ta, të paktën për të marrë një vendim parësor. Dhe këtë po e përsëris, për një rast shumë kompleks, të njohur, 27 prillin. Është krejtësisht e parëndësishme nëse dënimet janë të larta apo të ulëta, nuk hyj në meritat e gjykatës apo gjyqtarit.

Mirëpo, fakti është se me dhjetëra e dhjetëra të pandehur në atë rast, i cili është i paprecedentë, ndërhynë në Kuvend në përpjekje për të vrarë deputetë. Gjyqtari e përfundoi procedurën e shkallës së parë për një vit apo një vit e diçka. Kishte gjyqe dhe seanca çdo ditë.

Pra, ishte e mundur që çështjet komplekse, me shumë të pandehur, të arrinin një vendim të shkallës së parë. Më tej, le të punojnë në gjykatën e shkallës së dytë, le të shkojnë me mjete të jashtëzakonshme juridike në Gjykatën e Lartë. Mirëpo, është e pamundur të mos ketë aktgjykim të shkallës së parë për 95 për qind të atyre çështjeve dhe kanë ndenjur në sirtarët e dikujt për 8 vjet.

Ata gjyqtarë duhej të shkonin në burg. Sigurisht, përmes procedurës, dhe këtu e kam fjalën për kulturën e mosndëshkimit, e cila është më e madhja për njerëzit që duhet të dënohen, sigurisht nëse ka prova për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni luftën aktuale kundër korrupsionit?

Stevo Pendarovski: Në të njëjtën mënyrë siç vlerësohet nga Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit, kjo do të thotë se nuk ka progres. Fatkeqësisht, në vitin e fundit nuk kemi bërë ndonjë përparim në këtë fushë dhe këtu mendoj se vlerësimi është absolut edhe në opinionin e gjerë, edhe në publikun profesional, edhe në Bruksel, edhe në Shkup, se këtu kemi dështuar më së shumti.

Radio Evropa e Lirë: Sa reale janë premtimet për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030?

Stevo Pendarovski: Nëse do të më kishit pyetur para bllokadës bullgare, të cilën askush në Evropë nuk e priste, jo vetëm ne këtu në Maqedoni (të Veriut), do t’ju kisha thënë se ishte shumë larg. Kjo sepse që nga viti 2005 praktikisht kemi përgatitur ekipe në Sekretariatin për Integrime Evropiane dhe në të gjitha ministritë, të cilat deri më tani nuk e di se sa prova të tilla gjenerale kanë bërë në kapituj të ndryshëm, tani grupe. Dhe, isha i sigurt se shumë përpara kësaj date do të kalonim të gjithë procedurën. Edhe me ratifikimin në fund të atyre protokolleve, të cilat në çdo shtet anëtar zgjasin rreth një vit, një vit e gjysmë.

Megjithatë, me bllokadën bullgare dhe për fat të keq, me konsensusin e plotë që është ende i vlefshëm dhe me shumë gjasa nuk do të ndryshojë në kuadër të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus, kam frikë se nesër mund të ketë një Bullgari të re që sërish mund të përsërisë veton për nuk e di çfarë… ose të gjejë ndonjë justifikim, që nuk bazohet as në fakte, për të na bllokuar.

Problemi i zgjerimit evropian është se mosmarrëveshjet dypalëshe, për fat të keq, për shkak të mënyrës se si merren vendimet në BE për pranimin e anëtarëve të rinj, janë bërë pengesa kryesore për zgjerimin evropian, dhe kjo shihet edhe në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Radio Evropa e Lirë: Në mandatin që keni pasur, në disa raste keni vënë në dukje ndërhyrjen ruse në punët e brendshme të vendit. Sa real është ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut?

Stevo Pendarovski: Ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut në dy vjetët e fundit që kur ata filluan pushtimin e tyre të paligjshëm të Ukrainës, nuk është në nivelin që ishte në shtatorin e vitit 2018. Ndikimi ose ndërhyrja më e lartë ruse në punët e brendshme ishte në shtator të vitit 2018, kur patëm referendumin për çështjen e emrit.

Dhe ndikimin më të madh rus, në rreth 10 vjetët e fundit, e patëm gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2019-ës, kur ata kishin një favorit të qartë mes kandidatëve për president në atë kohë dhe qartë ishin kundër meje, natyrisht, si një kandidat anti-rus apo properëndimor, siç thoshin.

Kjo nuk do të thotë se sot nuk kemi ndikim rus, i cili vjen më së shumti përmes rrjeteve sociale. Ju e dini se në vitin e kaluar kemi pasur disa sulme të rënda kibernetike ndaj institucioneve vitale, institucioneve të ndryshme, madje edhe në zyrën e presidentit në dy raste, në banka, në agjenci që kanë dosje për qytetarët e Maqedonisë (së Veriut).

Megjithatë, e përsëris, ende nuk është në nivelin që ishte më 2018 dhe 2019. Ndoshta në periudhën e ardhshme do të intensifikohet, pasi do të shkojmë më 8 maj dhe në rundin e dytë, në rundin vendimtar, duhet të them, si për zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe për ato parlamentare. Por që ekziston – ekziston, që ju keni të preferuarit tuaj në skenën politik këtu, është e qartë. Është e qartë se në Maqedoni (të Veriut) ka parti politike me orientim pro-rus, siç kemi parti pro-perëndimore dhe pro-ruse. Kujdes, nuk e kam fjalën për spiunë dhe spiunazh që paraqet vepër penale.

Radio Evropa e Lirë: Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, nëse hyni në rundin e dytë, a prisni mbështetje politike nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim?

Stevo Pendarovski: Unë pres vota nga të gjitha bashkësitë etnike, por asnjëherë nuk kam ndërmend të flas me liderët politikë për vota. Për mua kjo do të ishte e pandershme, është nënçmim për qytetarët maqedonas t’u thuash, tash ti voto atë kandidat, tash m’i jep mua votat. Marrja e dhënia bëhet vetëm me gjësende dhe jo me njerëz të gjallë.

 

Përgatiti: Isuf Kadriu

SHKARKO APP