Sulmohet shtëpia e shqiptarit në Medvegjë, qeveria e Kosovës: Për Vuçiç-in çdo ditë pa ndonjë incident është e humbur
Në Luginën e Preshevës nuk ka qetësi. Familja Muharremi nga Medvegja është kërcënuar nga serb të maskuar. Sulme verbale dhe gjuajte me gurë në drejtim të shtëpisë së kryefamiljarit Ruhan Muharremi nga Medvegja. Djali i Muharremit, Besarti për Telegrafin ka thënë se për këtë kërcënime e sulme janë lajmëruar organet e sigurisë. Ai thotë se pas këtij raportimi prindi është ftuar për deklaratë në polici.
“Prindërit e mi janë kërcënuar mbrëmë gjatë orëve të vona të natës nga një grup prej 15 personash në Medvegjë. Kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë hedhur gurë në vetura e shtëpinë e prindërve”, ka treguar Besarti për Telegrafin.
Qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin. Zv/kryeministri Besnik Bislimi tha se kjo është shqetësuese dhe e papranueshme. Ai i bën thirrje Serbisë që të përmbahet nga aktet e dhunës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Qeveria dënon ashpër aktet e vandalizmit dhe frikësimit ndaj familjes Muharremi në Medvegjë. Është shqetësuese dhe e papranueshme. Me sa duket për Vuçiçin çdo ditë pa ndonjë incident është një ditë e humbur”, ka shkruar Bislimi.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve Nevzat Lutfiu. “Sot dy herë jam dëgjuar me pjesëtarët e familjes Muharremi nga Medvegja, që mbrëmë në drejtim të shtëpisë së tyre janë gjuajtur gurë dhe gjësende tjera”. Ai ka vënë në dije edhe Ambasadën e Shqipërisë dhe OSBE-në. “Pjesëtarët e kësaj familjeje janë shumë të shqetësuar. E kam njoftuar ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe përfaqësuesit e OSBE lidhur me këtë sulm ndaj kësaj familjeje”, ka shkruar Lutfiu në Facebook.
Deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi ka dënuar aktin vandal ndaj familjes shqiptare. “Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”.