Tensionet në Veriun e Kosovës, Haradinaj: Kurti të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj reagon pas ngjarjeve të së premtes në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Ai i kërkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të jetë i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.

“Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri. Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës”, tha Haradinaj.

Gjatë ditës një numër i protestuesve serbë u grumbulluan rreth objekteve komunale të tri komunave veriore, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan. Qëllimi ishte pengimi i kryetarëve të zgjedhur më 23 prill që të shkojnë në vendet e tyre të punës.

SHKARKO APP