Thaçi: Ka ardhur koha për një marrëveshje historike me Serbinë
Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin e Kosovës që të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Jam i bindur që ka ardhur koha që pas bisedimeve, që në një mënyrë apo tjetrën, po zgjasin tash e 20 vjet, që të nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi njëshekullore në raportet mes dy shteteve dhe popujve tanë”, ka thënë Thaçi gjatë një konference me gazetarë.
Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova edhe në fazën finale të dialogut më Serbinë do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që sipas tij, është e interesuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Ai ka shtuar se Kosova në asnjë rrethanë nuk mund të refuzojë dialogun dhe negociatat me Serbinë.
“Na presin bisedime të rënda, ta vështira. Tani synojmë ta përmbyllim këtë proces duke bërë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike dhe politike me Serbinë. Çështja e dialogut me Serbinë dhe arritjes së kësaj marrëveshjes ka interes të karakterit nacional dhe shtetërore për Kosovën, kështu që duhet të rezonojmë me përgjegjësi të lartë”, theksoi Thaçi.
Marrëveshja me Serbinë, ka shtuar presidenti Thaçi do të jetë finale dhe nëse arrihet kjo marrëveshje nënkupton ndryshime dramatike të realitetit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Do të diskutohet çështja e demarkacionit të kufirit Kosovë – Serbi, apo do të vihet vija kufitare Kosovë Serbi për herë të parë në historinë tonë, do të njihet ai realitet dhe në fund do të kërkohen edhe ndryshime kushtetuese edhe në Kosovë edhe në Serbi, sepse Serbia duhet të bëjë ndryshime kushtetuese për të hequr Kosovën nga preambula”, shtoi presidenti Thaçi.
Sipas tij, është e domosdoshme krijimi i një ekip gjithëpërfshirës në fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai iu ka bërë thirrje të gjithë akterëve në Kosovë, partive politike, shoqërisë civile, ekspertëve të fusha të caktuara që të jenë pjesë e kësaj faze të dialogut.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen më 24 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Takimi, që do të lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini do të ketë në fokus diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.
Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011.Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.