Vdekja e fëmijës shkakton trazira etnike në Maqedoni

Një zënkë për radhën në spital, që përfundoi me vdekjen e një djaloshi, ka kërcënuar të shkaktojë një konflikt të ri midis shqiptarëve dhe maqedonasve në qytetin me etni të përzierë të Kumanovës.

Nga Igor Bosilkovski, BIRN

Autoritetet maqedonase dhe të afërmit e djaloshit 4-vjeçar që vdiq, Almir Aliu, u kanë bërë thirrje njerëzve të qetësohen pas një proteste në Kumanovë ku morën pjesë me mijëra shqiptarë etnikë që akuzojnë vrasësin e dyshuar për një krim etnik urrejtjeje.

Djaloshi, një shqiptar etnik, vdiq të premten nga plagët e marra më 25 qershor, kur ai dhe prindërit e tij u shtypën nga një makinë të drejtuar nga 30-vjeçari Boban Iliç, një maqedonas etnik i cili tani ndodhet në paraburgim.

Incidenti ndodhi në spitalin e përgjithshëm të Kumanovës, kur, sipas policisë, dy familjet filluan të grindeshin pas një debati se kush duhet ta takonte i pari mjekun.

Thuhet se përleshjet vazhduan në oborrin e spitalit.

Në një filmim të siguruar nga një kamerë e spitalit, e cila u publikua nga një media ditën e hënë, një makinë, që thuhet se drejtohej nga Iliç, shihet duke goditur djalin dhe prindërit e tij, të cilët u plagosën gjithashtu.

“Ky incident nuk duhet të përdoret për të ndezur urrejtje etnike,” tha policia në një deklaratë pasi disa mijëra shqiptarë protestuan në Kumanovë të hënën, duke kërkuar burgim të përjetshëm për të dyshuarin dhe duke e akuzuar atë për një vrasje me motive etnike.

Protestuesit, të organizuar nga një OJQ lokale shqiptare të quajtur Zani, mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe fotografi të djalit të vdekur. Ata i kërkuan autoriteteve të jepnin dënime më të ashpra për krimet me motive etnike.

“Drejtësia është një mënyrë për të parandaluar hakmarrjen e paligjshme, një kënaqësi morale për viktimat në mënyrë që ata të paktën të lehtësojnë dhimbjen e tyre,” tha Bekon Limani nga Zani.

Në një reagim ndaj lajmit të vdekjes së djaloshit, disa parti politike shqiptare deklaruan se shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë, nuk ndjehen të sigurt.

“Sulmi ndaj familjes Aliu dhe vdekja e Almirit është një tjetër tregues i qartë i nacionalizmit të sëmurë dhe vulgaritetit që ekziston, të sponsorizuar nga qeveria dhe gjithmonë të drejtuar kundër shqiptarëve në Maqedoni,” tha zëdhënësi i të sapoformuarës Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike të Shqiptarëve, Elmir Sejfullai.

Megjithatë, familja Aliu bëri thirrje për t’i dhënë fund protestave.

“Ajo që ndodhi nuk ka aspak lidhje me kombësitë. Kjo është një çështje personale midis dy njerëzve të përfshirë në kërë tragjedi. Ne kërkojmë që institucionet e drejtësisë të japin dënimin më të ashpër për fajtorin,” tha kushëriri i djalit, Faruk Aliu .

Goce Iliç, babai i njeriut të akuzuar për vrasjen, është cituar nga 21 TV se ka shprehur ngushëllime dhe keqardhje që djali i tij i kishte shkaktuar një dhimbje të tillë familjes Aliu.

“Institucionet duhet ta zgjidhin këtë çështje dhe të japin ndëshkimin e duhur,” citohet të ketë thënë Goce Iliç.

Por vëllai i të akuzuarit, Bojan Iliç, i cili thuhet të ketë qenë ulur në ndenjësen e pasagjerit në makinë gjatë incidentit, shkaktoi konfuzion të hënën duke u shprehur në profilin e tij në Facebook se ai dhe vëllai i tij ishin sulmuar më parë nga një grup prej 20 burrash shqiptarë me shkopinj bejsbolli dhe thika pa asnjë arsye.

Ai këmbënguli se vëllai i tij e shtypi aksidentalisht familjen Aliu ndërsa përpiqej të largohej me një xham të thyer që i pengonte pamjen.

Në maj të vitit të kaluar, Kumanova u shndërrua në një skenë të përgjakshme për shkak të shkëmbimeve të zjarrit midis militantëve shqiptarë dhe policisë, ku mbetën të vdekur 18 persona, duke rritur tensionet etnike në Maqedoni.

Kumanova u prek keq edhe nga konflikti i armatosur i vitit 2001 midis forcave maqedonase të sigurisë dhe kryengritësve me etni shqiptare, situatë që për pak përfundoi në një luftë të vërtetë.

SHKARKO APP