Vend kandidat i BE-së? Bosnja mund të marrë në dhjetor statusin
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, tha se është optimist se Bosnjë e Hercegovina do të marrë statusin e shtetit kandidat nga blloku evropian në muajin e ardhshëm, nëse plotësohen disa kushte që Brukseli i ka paraqitur së fundmi.
Duke folur gjatë një takimi në Sarajevë me anëtarët e presidencës trepalësh të Bosnjës, Varhelyi bëri të ditura kushtet. Në to përfshihet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat gjyqësore dhe të migrimit, por edhe garancitë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve.
“Rruga europiane është e hapur, por priten rezultate nga Bosnja. U takon liderëve politikë që këto të bëhen realitet”, tha Varhelyi pas takimit me anëtarët e presidencës Denis Beqiroviq, Zhejko Komshiq dhe Zhejka Cvijanoviq.
Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën, por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar, e të cilat kanë për synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.
Komisioni vetëm këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit. Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.