VOA: Presidenti Biden i bën thirrje Serbisë për kompromise me Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje Serbisë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Thirrjet janë pjesë e një mesazhi të urimit dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me rastin e 15 shkurtit, ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Në mesazhin e shpërndarë nga kabineti i presidentit serb, thuhet se presidenti amerikan krahas urimit shpreh besimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe ekonomisë, përparimin e integrimeve evropiane për Serbinë dhe paqen e qëndrueshmërinë në rajon. “Këto janë kohë vendimtare për Evropën”, thuhet në letër në të cilën nënvizohet se Serbia i është bashkuar një grupi prej 140 vendesh demokratike nga e gjithë bota në Kombet e Bashkuara për të dënuar luftën e (Vladimir) Putinit në Ukrainë. “Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në dërgimin e mesazheve të forta të mbështetjes për Ukrainën dhe dënimin e luftës brutale që Rusia e ka zgjedhur”, thuhet në letër.

Presidenti Biden, i bën thirrje Serbisë të ecë përpara në mbrojtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin dhe “të ndërmarrë hapa duke përfshirë kompromisin kur është i nevojshëm në mënyrë që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet në letër në të cilën theksohet se marrëveshja e vitit të kaluar “paraqet hapa thelbësorë drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën.

Një vit më parë palët u pajtuan për një marrëveshje që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja u mirëprit nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë. Por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta. Vjeshtën e kaluar Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që nënkupton më shumë autonomi për këtë komunitet, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës, ndërsa Prishtina ende nuk ka filluar punën për asociacionin. Bashkimi Evropian përsëriti disa herë se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët duke u bërë thirrje për zbatimin e plotë të saj dhe shmangien e veprimeve që nxisin tensione.

Qeveria amerikane kritikoi qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

SHKARKO APP