Von der Leyen flet në Kuvend, deputetët nga opozita i hedhin pankarta: Të falënderoj për…
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen në fjalën e saj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, u shpreh se vendi tani ka mundësinë për të qëndruar bashkë me BE-në. Gjatë fjalimit të saj ka pasur kontestime nga ana e deputetëve të opozitës. Ka qenë një bilbil që ka fishkëllyer dhe janë hedhur disa pankarta. “Të falenderoj për këtë sjellje demokratike”.
Po ashtu Presidentja e Komisionit Europian shtoi se propozimi francez për zgjidhjen e situatës me Bullgarinë, respekton identitetin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“I dëgjova me kujdes shqetësimet për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë këtë plotësisht. Për këtë shkak, në propozimin francez qëndron ‘gjuha maqedonase, pa kualifikime nga Bashkimi Europian. Propozimi e respekton gjithashtu edhe identitetin tuaj. Parimi i vetëvendosjes është me rëndësi të veçantë për ne. Mund të llogarisni te unë si kryetare e Komisionit Europian se do të sigurohem që procesi i anëtarësimit të respektojë parimet dhe standardet europiane”.