Votimi i shqipes në Maqedoni, PD: Hap përpara
Partia Demokratike ka përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe. Me anë të një deklarate, Partia Demokratike thotë se ky votim është një hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë.
Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.
“Mbështesim një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik”, thuhet në deklaratën e PD.