Vr*tet një dhe arrestohen 4 nga grabitësit e argjendarisë, pl*goset një polic
Një nga grabitësit që mësyu në argjendarinë në Suharekë, është ekzekutuar nga policia në një shkëmbim zjarri gjatë pasdites së sotme në Prishtinë. Policia ka zhvilluar një aksion për të neutralizuar grupin e grabitësve të dhunshëm në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Carralevë.
Janë arrestuar katër të dyshuar të tjerë, ndërsa më parë ishin prangosur tre persona të dyshuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes. Dy prej tyre ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa një tjetër u lirua në procedurë të rregullt.
”Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë bëhet me dije në komunikatën për shtyp se nga shkëmbimi i zjarrit me grabitësit gjatë ditës së sotme ka mbetur i lënduar një oficer i policisë, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.