Vuçiç po e çon vendin në luftë civile
Mediat gjermane kanë raportuar për trazirat në Serbi në ditët e fundit. Pamje nga Novi Sadi dhe Beogradi u transmetuan në programin televiziv të lajmeve kryesore të shërbimit publik ARD. Raportime më të shkurtra mbi ngjarjet u botuan nga shumë portale dhe gazeta. Ja fragmente nga artikuj karakteristikë rreth këtyre ngjarjeve:
Andrej Ivanji shkruan për Tagesspiegel me qendër në Berlin: “Nëntë muaj protesta të udhëhequra nga studentët kundër regjimit në Serbi kanë qenë kryesisht paqësore. Pastaj të martën, përplasjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Presidentit Aleksandar Vuçiq u përshkallëzuan në qytete të vogla në Vojvodinë, Vrbas dhe Baçka Palanka. Të mërkurën, studentët bënë thirrje për protesta nën sloganin Serbi, zgjohu! Qytetarët në kryeqytetin Beograd, si dhe në Novi Sad, Nish, Krushevac, Smederevo, Uzhice, Çaçak, Pançevo dhe Lazarevac, iu përgjigjën thirrjes. Trazira të rënda shpërthyen në disa qytete dhe rreth 70 persona u plagosën ditën e dytë, siç njoftoi Ministria e Brendshme.”
“Regjimi është në një kurs konfrontimi me studentët. Njësitë speciale të policisë luajnë vetëm një rol dytësor. Ato nuk kanë mjaftueshëm njerëz dhe kur ka demonstrata të njëkohshme në disa qytete, ato zakonisht janë plotësisht të mbingarkuara. Aktivistët dhe simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet u liruan mbi qytetarët që demonstronin kundër autokracisë së korruptuar dhe për sundimin e ligjit.”
Pasi përshkruhet pamja mjaft e ngjashme e këtyre simpatizantëve të Vuçiqit “me qafa të trasha, shpatulla të gjera, që tregojnë muskuj të fortë dhe shpesh me tatuazhe, bluza dhe kapele të zeza, dhe shumë prej tyre janë të maskuar”, thuhet se mediat kritike i kanë identifikuar shumë prej tyre si kriminelë me të dhëna të gjera policore.
KOHA JONË SONDAZH

