Vuçiç: Shqiptarët po përpiqen, heshtur dhe fshehurazi, të marrin veriun e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të enjten se “shqiptarët heshtur dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”, ndërsa akuzoi komunitetin ndërkombëtar se nuk po vepron të pengojë Prishtinën në veprimet e saj që “bien ndesh me marrëveshjet e Brukselit”.
Ai i bëri këto komente në një fjalim në një qytet në jug të Beogradit pak pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla shkroi në rrjetet sociale se “për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë”.
Presidenti serb tha se ky veprim paraqet shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se sipas marrëveshjeve “policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, pra serbët duhet të jenë aty”.
Duke kritikuar Brukselin për mosreagim ndaj veprimeve të Prishtinës ai paralajmëroi zyrtarët e BE-së dhe të Kosovës se “…populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, tha presidenti serb.
Të premten i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd, i shoqëruar nga Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, këshilltarë të kancelarit gjerman Olaf Sholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të emëruar për të mbështetur bisedimet.
Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pas një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një masë e tille qe zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.
Më një shtator ka filluar të rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.
Bashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës