Zaev: Deputetë të VMRO-së ndihmuan sulmuesit në Kuvendin e Maqedonisë
Deputetët e dëmtuar në sulmet e para dy javëve në parlament shpresojnë se do të veprojë shteti ligjor dhe keqbërësit të vihen para drejtësisë.
Të premten në prokurorinë publike dëshmoi një nga personat që ishte në shënjestër të sulmuesve, Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Zaev, duke folur për gazetarët, tha se në prokurori i ka cilësuar aktet e dhunshme, si një plan të paramenduar mirë.
“Gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së ua hapën dyert dhe i drejtuan sulmuesit për në ambientet e qendrës së shtypit ku ndodheshim ne”, tha Zaev, sipas të cilit dy prej deputetëve të VMRO-së kanë hequr shulin e çeliktë të derës kryesore, ndërsa katër të tjerët kanë udhëzuar se si të arrinte tek salla ku ndodheshin deputetët e shumicës parlamentare.
Zaev u shpreh se në prokurori është paraqitur si palë e dëmtuar; “një nga ata të cilët u sulmuan në mënyrë direkte nga turma dhe nga një grup që kishte plan dhe synim për të vrarë”, theksoi ai.
Pretendenti për kryeministër të Maqedonisë ia lë prokurorisë të vendosë se si do t’i katëgorizojë aktet e ndodhura para dy javësh në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.
Zoran Zaev, e sidomos Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët janë më të dëmtuarit e këtyre ngjarjeve. Zoti Sela pas qëndrimit për një javë në spital, po kurohet në shtëpi, në vendlindjen e tij në Livadhi të Strugës.
Gjykata Penale e Shkupit i ka caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh dy sulmuesve, baba e bir, Kire dhe Cane Gjorgjievski të dyshuar për tentativë vrasjeje me paramendim të deputetit Sela. Deri tani, kjo është akuza e parë më e rëndë nga ngjarjet e dhunshme në parlament. Akuzat e tjera kanë të bëjnë me veprën “pjesëmarrje në turmë që do të pengonte personin zyrtar në kryerjen e detyrës”.
Lidhja Social Demokrate kërkon llogari edhe nga një numër pjesëtarësh të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërlikim në këto ngjarje. Edhe vetë ministri Agim Nuhiu ka pranuar dështimin e disa zyrtarëve, në radhë të parë të kryeshefit të shtabit operativ që është dhe drejtor i Byrosë për siguri publike Mitko Çavkov, i afërt me strukturat udhëheqëse të partisë VMRO-DPMNE.
Ndërkaq, shumica parlamentare pret ta formojë qeverinë e re, por presidenti Gjorgje Ivanov ende nuk po e jep mandatin për këtë. Megjithatë, sipas ekspertëve ligjorë, shumica parlamentare mund të veprojë në bazë të kushtetutës, njësoj sikur dhe me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi. Pra, të mblidhet parlamenti dhe ta formojë vetë qeverinë.