Zaev: Ligji për gjuhët sipas Kushtetutës, askush nuk humbet

“Me ligjin për gjuhët nuk humb askush”, kështu u shpreh kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. Në një prononcim, kreu i ekzekutivit maqedonas tha se ligji për gjuhët është në përputhje me kushtetutën dhe askush nuk mund të dalë mbi kushtetutë.

“Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve është plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Amendamentin 5 të miratuar 17 vjet më parë. Askush nuk është, dhe nuk mund të jetë mbi Kushtetutën.

Duke promovuar të drejtat për përdorimin e gjuhëve, askush nuk humbet, por ofron kushte për komunikim më të mirë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve. Komunikimi i qetë i qytetarëve është një përfitim qytetërues”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e kryeministrit Zaev.

“Në të njëjtën kohë -thotë Zaev- ky ligj garanton plotësisht përdorimin e duhur të gjuhës maqedonase”.

“Tani është koha për të hedhur poshtë politikat e ndarjeve, grindjeve dhe konflikteve që janë në kundërshtim me vlerat tona evropiane”, shprehet Zaev.

Kryeministri mbyll njoftimin duke thënë se tani është kohë e politikanëve  që të marrin përgjegjësinë që i kanë premtuar qytetarëve.

“Është koha për reforma dhe për ekonominë, është koha për zhvillimin e Maqedonisë në interes të të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Zaev.

SHKARKO APP