Zgjedhje të reja në veriun e Kosovës, kreu i komunës Zubin Potokut: Nuk e jap dorëheqjen
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka paralajmëruar tashmë mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri. Por kreu i ri i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se kjo nuk mund të bëhet pa një analizë të zgjeruar.
“Nuk shoh që ideja e zgjedhjeve të reja do të prodhojë diçka më mirë. Duhen studiuar arsyet pse duhet të tërhiqemi, pse duhet të ketë zgjedhje të reja. Duhet të ketë baza të arsyeshme e më pas të veprohet”,-tha Zeqiri. Po ashtu ai tha se nuk e ka ndërmend të dorëhiqet dhe nuk ka pasur një kërkesë të tillë as nga ambasadori amerikan.
“Për momentin nuk kemi ndonjë bisedë rreth kësaj në nivelin e qeverisë, ministrisë së pushtetit lokal ose qoftë nga kabineti i presidentes. Ne duhet të kemi një analizë të studiuar pak më gjerë se përse ne duhet të japim dorëheqjen. Për momentin nuk mendoj për atë çështje”,-tregoi kryetari i Zubin Potokut.
Sipas tij veprimet e serbëve janë tentim për të sulmuar ligjin dhe rendin në Kosovë. Po ashtu ai beri të ditur edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës rreth asaj që po ndodh në Veri dhe punën e tij si kryetar. “Qëndrimi i PDK-së ka qenë konstruktiv, të jemi të harmonizuar në vija institucionale. Natyrisht dhe me ndërkombëtarët, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ndërtesa e komunës së Zubin Potokut ku do duhej të ishte kryetari Zeqiri vijon që të jetë e rrethuar me protestues serb. Por, për dallim nga ajo e Leposaviçit dhe Zveçanit, ajo po ruhet nga pjesëtarët e policisë së Kosovës.