Zgjedhjet lokale në Maqedoni, Ahmeti: Nëse humb, dorëhiqem nga politikëbërja
MAQEDONI- Partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoni, BDI-ja dhe LSDM-ja kanë marrëveshje për garën në zgjedhjet e pushtetit lokal, pavarësisht mundësive reale për të korrur fitore në komuna të caktuara.
Kreu i BDI, Ali Ahmeti thotë se marrëveshja vlen vetëm për komuna të caktuara, ku nuk është parë e arsyeshme të garohet me kandidatë të veçantë.
“Sigurisht që ka marrëveshje dhe për mua do të ishte një betejë e humbur dhe e paarsyeshme, për shembull, nëse unë garoj në Kumanovë dhe e di se nuk kam mundësi të fitoj kryetarin e Kumanovës. Në Çair do të garojë BDI-ja sepse nuk mundet që në këto rrethana të fitojë LSDM-ja”, deklaroi Ali Ahmeti.
Ai tha se në rast se rezultati për BDI do të jetë negativ, atëherë është i gatshëm të lërë timonin e drejtimit të partisë.
“Unë me përgjegjësinë më të lartë kam deklaruar dhe deklaroj se momentin që humb zgjedhjet unë iki prej BDI-së, nga politikëbërja, jo nga BDI sepse BDI është shtëpia ime dhe njeriu nuk ik nga shtëpia e vet”, u shpreh Ali Ahmeti.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, sipas tij, përdorimi i shqipes garantohet me Marrëveshjen e Ohrit dhe zyrtarizohet me ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve.
“Shqipja është vërtetë gjuhë zyrtare, me dy përjashtime, për komunikim ndërkombëtar dhe përjashtimi dytë është që dy çështje kanë shkuar për interpretim në Komisionin e Venedikut siç është çështja e banknotave dhe e uniformave. Në rastet tjera, shqipja është e barabartë dhe do të përdoret, do të folet, shkruhet arkivohet, që nga Qeveria, parlamenti, gjykata, prokurori”, tha ai.
Ahmeti pranoi se që nga viti 2002 kur BDI-ja ka dalë në skenën politike, mund të ketë bërë gabime, por tha që partia e tij ka kapacitetet për reforma. Mes tjerash, Ahmeti njoftoi se i ka bërë thirrje prokurorisë për hetim të të gjithë funksionarëve dhe ish-funksionarëve të partisë së tij, përfshirë edhe vetë atë, me qëllim të eliminimit të dyshimeve për keqpërdorime të mundshme.