Zgjedhjet në Serbi, kreu i Komunës së Preshevës: Kurti p*rçau shqiptarët, përgjegjës për rezultatin

Kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se zgjedhjet e së dielës në Serbi, për shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin një dështim për shkak të përçarjes së tyre. Për përçarjen ai ka një akuzë të drejtpërdrejtë dhe e adreson tek kryeministri Albin Kurti.

“Fatkeqësisht zgjedhjet kanë përfunduar me një bojkot të paparë në 3 dekadat e fundit. Nga rreth 80 mijë votues përafërsisht kanë dalë vetëm 13-14 mijë votues. çka do të thotë se rreth 60 mijë i kanë bojkotuar këto zgjedhje. Kjo si rezultat e politikës përçarëse që kemi në Luginën e Preshevës, që janë bërë dy lista. Përçarja si rezultat i asaj që kryeministri Kurti ndërhyn pa ndërprerë dy vitet e fundit; se nuk është e para herë që jemi duke u përçarë por edhe vitin e kaluar në zgjedhjet parlamentare u duk qartë. Ndërhyn Kurti në mënyrë të pandërprerë në Luginën e Preshevës, jo vetëm ndërhyrje politike por edhe me financat”,-thotë Arifi.

Rezultati për të është dëshpërues. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sipas tij, do të kishin arritur të merrnin 4 mandate, nëse nuk do të kishte ndodhur përçarja. Kurti thotë Shqiprim Arifi, ka tentuar të përçajë shqiptarët edhe në Tiranë e Shkup.

“Kjo nuk po ndodh vetëm në Luginën e Preshevës. Kjo po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka tentuar ta bëjë të njëjtën edhe në Shqipëri. Kurti është fajtori kryesor për dështimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që kanë bojkotuar edhe zgjedhjet. Por ka edhe bashkëfajtor që është Kamberi, edhe Sinani, edhe të tjerë që kanë bashkëpunuar me të”.

SHKARKO APP