Ziadin Sela: Aleanca për shqiptarët mbetet në koalicionin qeveritar
MAQEDONI-Lideri i Aleancës për shqiptarët dhe kandidat për kryetar të komunës së Strugës, Ziadin Sela sonte konfirmoi se partia e tij mbetet pjesë e koalicionit qeveritar.
“Mbetemi në qëndrimin se informatat për dalje nga Qeveria janë spekulime, pjesë e propagandës së BDI-së. Kjo ishte edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve, jo vetëm në të dytin. Tërë kohën spekulojnë, dezinformojnë se ne nuk jemi më pjesë e koalicionit qeveritar. Kjo bëhet me qëllim që t’i frikësojnë qytetarët. Është e qartë se si e zhvillojnë fushatën, dëshirojnë t’i frikësojnë, t’i shantazhojnë votuesit dhe qytetarët dhe në atë mënyrë të vijnë deri te rezultati më i mirë”, tha Sela në emisionin Top tema në TV Telma, në të cilin nuk iu përgjigj ftesës Ramiz Merko nga BDI dhe kundërkandidat i tij në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Ai theksoi se këto janë zgjedhje lokale dhe si partner koalicioni deri më tani aspak nuk ka pasur biseda me kryeminsitrin Zoran zaev në këtë temë.
Lidhur me atë nëse është i kënaqur nga hetimi i deritnaishëm për dhunën në Kuvend të 27 prillit, Sela tha se duhet tëbëhet shumë më tepër, jo sepse është personalisht i prekur, por para së gjithash për shkak të reformave në jurisprudencë, të cilat konsideron se po zhvillohen shumë ngadalë.
“Ne duhet të ndërtojmë të ardhme shumë më të mirë për fëmijët tanë, ndërsa kjo fillon me sistemin e jurisprudencës. Duhet të ndërtojmë gjyqësi të pavarur, jopartiake dhe vetëm nëa të rast do të jemi krenarë se kemi bërë punë të vërtetë. Ende ka kohë. Duhet t’i jepet kohë Qeverisë së re për t’u bërë këto reforma sepse ai është një proces. Prandaj edhe thamë se në një mënyrë jemi prijës të reformave”, tha lideri i Alenacës për shqiptarët, Ziadin Sela.