Zvicër, 10 vjet burg për shqiptarin që dërgoi bombën me postë

Gjykata Penale Federale e Zvicrës në Bellinzona ka shpallur vendimin gjyqësor për shqiptarin nga Maqedonia, J.LL, i fajësuar për dërgesën e bombës në redaksinë e gazetës “Bota Sot” në Zyrih në vitin 2002.

Prokurori i lëndës ka kërkuar 11 vjet burg për veprën penale tentativë vrasjeje të shumëfishtë, derisa vendimi i gjykatës ishte dhjetë vjet, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Ai kishte kërkuar lirimin, por gjykata i ka konsideruar si jo të besueshme deklaratat e shtetasit zviceran-maqedonas, siç u shpjegua në vendimin e së martës.

I akuzuari ka thënë se bomba nuk do të funksiononte. Por, hetimi i bombës ka treguar se ajo nuk ka shpërthyer rastësisht.

Kështu shqiptari nga Maqedonia J.Ll. është dënuar me dhjetë vjet burgim. I akuzuari kishte dërguar një paketë për botuesin Mazrekaj, kur ai ndodhur në shtëpi së bashku me familjen. Në pako ishte një shishe me verë dhe bomba.

Kjo kishte ndodhur në Zyrih të Zvicrës në vitin 2002. Ai është arrestuar vitin e kaluar rastësisht në Zyrih pas një rrahjeje në diskotekë, ku i ishin marrë provat e ADN-së dhe që nga ajo kohë ka qenë në paraburgim në Zvicër.

Për arsye se hapja e pakas ka rrezikuar jetën e një numri personash, akuza e Prokurorisë Federale është për tentim vrasjeje të shumëfishtë.

SHKARKO APP