Zyrtari i lartë amerikan, O’Brien: Nuk do të lejojmë dh*në në veri të Kosovës

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten. Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR në pjesën veriore të Kosovës, teksa rikujtoi se prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë në këtë pjesë është rritur muajve të fundit.

“Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.

O’Brien iu referua sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh. Ky grup vrau një polic, ndërkaq gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues. Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje. Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropiane, stabile dhe e sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”. Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike. O’Brien përsëriti se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai u bëri thirrje palëve që të zbatojnë përgjegjësitë e tyre që dalin nga ky proces. Ai tha se ka pasur përparim në zbatimin e zotimeve të dialogut, sikurse ishte çështja e targave të makinave. Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore që Serbia mbajti më 17 dhjetor 2023. Ai tha se Uashingtoni pret që të punojë me Qeverinë serbe që të adresohen këto shqetësime, ndërkaq tha se SHBA-ja mbështet protestat paqësore në Serbi “nga njerëzit që ndiejnë se zgjedhjet ishin jofer dhe që rezultatet nuk ishin ashtu siç ata prisnin”.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka mbajtur një sërë protestash në Serbi për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor, sipas të cilave, Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka dalë fituese në të gjitha nivelet. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se gjatë procesit zgjedhor ka pasur parregullsi të shumta. O’Brien foli edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë, duke kritikuar Millorad Dodikub, udhëheqësin e entitetit serb, Republika Sërpska. Ai tha se Dodik me shënimin e Ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, po tenton të largohet nga temat e rëndësishme.

Duke folur për kërcënimet e Dodikut se entiteti serb do të shpallë pavarësinë nga Bosnja, O’Brien tha se ai ishte në Dejton – ku më 1995 u arrit Marrëveshja e Dejtonit – dhe se ka punuar së bashku me Bosnjën për të hartuar Kushtetutën e Bosnjës. “Diskutimet e tij për ndarje janë refuzuar në mënyrë eksplicite në Marrëveshjen origjinale të Dejtonit”, tha ai, duke shtuar se përpjekje të tilla ndarëse janë jokushtetuese. Në fillim të vitit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë vlerësoi se politika e Millorad Dodik është e rrezikshme dhe se “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.

Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Britania e Madhe, për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Dejtonit. Ndryshe, O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999. Nga viti 2022, Jim O’Brian ka punuar si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit. O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte. Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. /REL/

SHKARKO APP