Rilindja e spitalit të Fëmijëve në QSUT, projektuar me standardet e BE-së në pajisje mjekësore
Ndërtimi i spitalit të ri të Pediatrisë në QSUT, me vlerë 9 milionë euro është një investim nga i cili përfitojnë rreth 130 mijë fëmijë që trajton ky spital reference për pediatritë në të gjithë vendin.
”Ja dhe rilindja e Spitalit të Fëmijëve në QSUT, me godinën e re të Pediatrisë së Tiranës, projektuar me standardet e BE dhe në proces realizimi me të gjitha kushtet optimale, jo vetëm në drejtim të infrastrukturës po edhe pajisjeve spitalore e mjekësore”, u shpreh sot kryeministri Edi Rama duke sjellë pamje nga ky investim.
Kryeministri theksoi se vijon pa u ndalur puna për transformimin e sistemit shëndetësor, megjithë situatën e vështirë të pandemisë nga Covid-19. ”Fëmijët të parët”, tha Rama.
Ky investim madhor përfshin rikonstruksionin e plotë të kompleksit të Spitalit Pediatrik që përbëhet nga Pediatria e Specializuar që u ndërtua rreth viteve ‘80 dhe Pediatria e Përgjithshme, e ndërtuar në vitin 1958. Projekti parashikon edhe ndërtimin e një godine të re, për urgjencën, reanimacionin e pediatrisë dhe sallat e kirurgjisë së pediatrisë, duke mundësuar një standard të ri shërbimi dhe ambjente miqësore për fëmijët si dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.