Samiti i G7: Joe Biden në turne në Europë
Nga DW-
G7, NATO, BE, Rusia, Kina: Katër samite në një javë. Perëndimi kërkon të ribashkohet kundër Kinës e Rusisë. Presidenti amerikan, Joe Biden e filloi vizitën disaditore në Europë me qëndrimin në Cornwall.
Kaq harmoni rrallë ka pasur: Joe Biden dhe Boris Johnson në takimin e tyre të djeshëm në Cornwall, para samitit të G7-s
Tetë ditë, katër samite, tre shtete. Plani i udhëtimit të Joe Bidenit për vizitën e tij të parë në Europë si president është i ngjeshur. Biden do të marrë pjesë në samitin e shtatë demokracive më të rëndësishme perëndimore në Carbis Bay (11.06.) në Britaninë e Madhe, në samitin e NATO-s, si edhe në samitin SHBA-Europë në Bruksel. Pas bisedimeve me partnerët, të mërkurën e ardhshme zhvillohet takimi me presidentin rus, Vladimir Putin në Gjenevë. Ndërkohë janë planifikuar edhe shumë bisedime bilaterale si me kancelaren Merkel, dhe një audiencë me Mbretëreshën Elisabeth në Kështjellën Windsor.
Kina temë qendrore
Udhëtimi i presidentit Biden ka synim bashkimin e demokracive perëndimore kundër sistemeve autoritare si Kina dhe Rusia, bëri të ditur para udhëtimit në Uashington, këshilltari i tij për sigurinë, Jake Sullivan. Nga pikëpamja e europianëve bëhet fjalë “për luftimin e pandemisë, mbrojtjen e klimës, dhe vlerës që i sjellin botës demokracitë perëndimore”, siç i përshkroi një diplomat i BE, qëllimet e samiteve të ndryshme. Për këtë arsye kryeministri britanik, Boris Johnson, mikpritësi i samitit të G7-s ka ftuar edhe demokraci të tjera të mëdha si India, Afrika Jugore, Australia dhe Koreja e Jugut.
Sipas ekspertes për çështjet e politikës nga qendra e Berlinit e “Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, (European Council on Foreign Relations), Jana Puglierin presidenti amerikan, nuk mund të presë, që menjëherë që me udhëtimin e parë të farkëtojë një aleancë të fortë kundër Kinës. “Ky do të jetë një akt barazpeshimi”, thotë Puglieri. Me Pekinin kërkohet po ashtu bashkëpunim në çështjet ekonomike dhe në mbrojtjen e klimës. BE vërtet që ka vendosur sanksione kundër qytetarëve kinezë për shkak të shtypjes së pakicës uigure, por nuk është shprehur shumë qartë në çështjen e Hongkongut si SHBA.
Kundërpesha e “Rrugës së Mëndafshit”
Për Joe Biden ka rëndësi, që në fund të samitit të ketë një përkrahje të qartë për më shumë investime të perëndimit, me qëllim që të shmanget influenca kineze në Afrikë dhe Europën Lindore. “Nga samiti i G7-s do të duhet të dalë një lloj partneriteti global për infrastrukturën me vendet në ekspansion, që duhet të bëhen më ekologjike. Ky si një alternativë për “Rrugën e Mëndafshit”, pa thënë që kjo duhet të ulë influencën e Kinës”; mendon Puglierin. NATO me dëshirën e amerikanëve do duhet të merret më shumë me kërcënimet ushtarake, që dalin nga Kina. Por as Rusia si kërcënimi kryesor për Europën nuk duhet të largohet nga vëmendja.
Takimi në Gjenevë
Nga takimi i Joe Bidenit me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme në Gjenevë, ekspertja Jana Puglierin nuk pret shumë. Konfliktet me Rusinë për shkak të Ukrainës dhe Bjellorusisë janë çimentuar së tepërmi, sipas saj. E rëndësishme është që Joe Biden të japë sinjalin, se perëndimi flet me një zë. Ndryshe nga paraardhësi, Donald Trump, presidenti Biden nuk i sheh europianët si kundërshtarë, por si partnerë të vlefshëm, shprehet eksperti për politikën e Jashtme i Të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Reinhard Bütikofer. Edhe diplomatë të tjerë shprehen pozitivisht. “Sundon një atmosferë e mirë. Në tavolinë ka vullnet për t’u angazhuar. Është tërësisht ndryshe se në kohët e mëparshme”, i tha një diplomat i BE Deutsche Welles.
BE-SHBA – dallimet mbeten
Në samitin e europianëve me presidentin Biden do të bëhet fjalë që të lihen mënjanë konfliktet tregtare dhe doganat ndëshkuese, që kishte inciuar presidenti Trump. Shenjat për këtë janë të mira, sipas një drafti të deklaratës së samitit, por Jana Puglierin paralajmëron nga një eufori e tepruar. Europianët janë skeptikë, nëse Joe Biden do të mund të qëndrojë në kursin e ri të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ka ende tema për debat, si për shembull tërheqja e trupave nga Afganistani, grindja për gazsjellësin Nord Stream 2, dhe propozimi i SHBA që të pezullohen përkohësisht patentat për vaksinat kundër Coronës, që nuk gjen miratim në BE. Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkon të arrijë, që vendet e pasura të japin më shumë vaksina drejt vendeve më të varfra. BE e eksporton ndërkohë një pjesë të madhe të vaksinave të prodhuara.
Në brigjet piktoreske të Cornwalls-it krerët e shteteve e qeverive të G7-s do të shihen për herë të parë personalisht pas dy vjetësh. Kjo e lehtëson punën, thonë diplomatë të BE. Megjithatë për delegacionet dhe gazetarët e akredituar ka rregulla të forta të higjienës dhe të testimit. Një samit normal ky nuk do të jetë si ai i Biarritzit në Francë para dy vjetësh. Para samitit janë paralajmëruar protesta nga organizata si Oxfam, Attac etj. Më shumë se 6000 policë do të angazhohen për sigurinë e samitit tre ditor.