Ajri i ndotur sjell trishtim

Sytë që lotojnë, fyti i acaruar nga ndotja e madhe e ajrit dhe lodhja e frymëmarrjes në përgjithësi konsiderohen disa prej faktorëve të trishtimit në qytetet kryesore të Kinës. Një studim i realizuar së fundi mbi efektet e ndotjes në vend e lidh atë me gjendjen shpirtërore të njerëzve, duke e përshkruar si një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë.

“Nuk është e vështirë të kuptohet se çfarë po ndodh. Niveli tejet i lartë i ndotjes së ajrit po ul lumturinë e njerëzve të kombit më të populluar të botës”, thotë Siqi Zheng, autor i studimit.

Ky fenomen nuk është plaga e vetme e jetës në Kinën urbane, e cila është pllakosur edhe nga çmimet në rritje të banesave, shqetësimet mbi sigurinë e ushqimit apo shërbimet jocilësore publike. Por, ndotja që dëmton shëndetin, sidomos grimcat mikroskopike nga termocentralet me qymyr dhe fabrikat, të cilat mbeten në mushkëri, e ka zënë si në darë klasën e mesme të vendit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe grupe të tjera hulumtuese kanë dalë në përfundimin se një milion vdekje të parakohshme në Kinë mund t`i faturohen lehtësisht ndotjes së ajrit. Një koktej toksik grimcash dioksidi nitrogjeni, dioksidi squfuri dhe ozon tokësor është lidhur nga ekspertët me performancën e ulët konjitive, produktivitetin e tkurrur në punë dhe rezultatet e dobëta arsimore.

SHKARKO APP