Alarmi i ekspertëve: Gjithnjë e më shumë antibiotikë

Një rritje dramatike e konsumit global të antibiotikëve ka bërë që ekspertët e shëndetit publik të apelojnë për strategji të reja, që do të vinin nën kontroll përdorimin e tepruar të ilaçit, dhe për investime më të mëdha për të siguruar ujë të pastër, kushtet e duhura sanitare dhe vaksinat, në vendet ku sëmundjet infektive janë më shqetësuese.

Përdorimi i pakufizuar i antibiotikëve është shkaku kryesor për rritjen e infeksioneve që u rezistojnë barnave, që tani i marrin jetën më shumë se një milion njerëzve në vit, në të gjithë botën.

Nëse nuk merren masa, sipas ekspertëve, shifrat do të rriteshin në mënyrë të frikshme. Pavarësisht përpjekjeve për të inkurajuar përdorimin më të kujdesshëm të antibiotikëve, një ekip ndërkombëtar kërkuesish ka zbuluar një rritje prej 65 për qind të konsumit të antibiotikëve në botë, krahasuar me vitin 2000.

Sipas ekspertëve, sistemi modern mjekësor është ndërtuar mbi bazën e antibiotikëve efikasë dhe, nëse këta antibiotikë nuk funksionojnë më, nëse bakteret bëhen rezistentë ndaj shumicës prej tyre, atëherë mjekësia do të ishte në telashe.

SHKARKO APP