Alarmi, kjo është droga e re që po zëvendëson marihuanën në Kosovë
Shitja e antidepresanteve pa përshkrimin mjekësor është e ndaluar më ligj dhe farmacitë të cilat bëjnë shitjen mund të humbasin licencën. Numri i përdoruesve të rinj po rritet
L.S një 17 vjeçar nga Prishtina tregon se ka filluar të përdorë Xanax në moshën 16 vjeçare, i shtyrë nga shokët.
“Në fillim nuk e kom ditë se çka është, por një shok i jemi më ka thonë që provoje ish shumë e mirë e t’ndihmon me flejt edhe t’qetson. Për një kohë ja kam nis më përdorë edhe më ka bo mu ni mirë për nja 2 javë ama ma vonë kam pas nevoje me rrit dozën edhe me marr ma shpesh”.
Ai tregon se nuk kishte aspak problem blerjen e Xanax në farmacitë e Prishtinës.
“Sa herë që kem dashtë me ble gjithë na kanë shitë, xanax të 25 gramëve edhe 50 gramëve. S’na kanë pyet sa vjet i kem e as a kem naj përshkrim. Veç na kanë pyet se a keni përdore ma herët”, tregon ai, i cili që kur filloi të interesohej se çfarë është medikamenti që po e qetësonte i ka hyrë frika për vdekje.
“Ja kom nisë me lexu se çka është edhe e kom pa që munesh me u bo i varun. Ma shumë ma ka tërhekë vëmendjen kur ka vdes ni këngëtar LilPeep. Ai ka vdekë prej xanaxit. Qatëher ja nisa mu tutë pak edhe pse na e blejshim në barnatore e ai ka vdek prej xanaxit fallc”.
Por, heqja dorë prej kësaj “droge” nuk është aspak e lehtë.
“Masi që e kom lon ja kanë nis ato simptomat që u djersitsha, s’mujsha me fljetë, më hupke krejt përqendrimi. Mu ka nevojite kohë me marrë veten”, tregon L.S për Infokusin.
Xanax mund të gjendet në rrugët e Prishtinës mjaft lehtë, pasi që shitësit e drogave e shesin ketë lloje “droge” me shuma të ndryshme dhe të kombinuar me droga tjera.
Kombinimet më të shpeshta që po i bëhen kësaj “droge” në Kosovë janë më alkool, fentanyl dhe amphitamine.
Edhe psikiatri Sami Shatrolli alarmon pasi kërkimi i vet pacienteve për të përdorur antidepresant është i madh.
“Nga praktika e përditshme profesionale, një numër i madh i pacienteve lajmërohen për të kërkuar përshkrim të xanaxit në zyrat e mjekëve ose kërkojnë ndihmë për të ndërprere aplikimin e këtij bari pasiqë kanë kaluar kohë të gjatë të përdorimit”, tha ai.
Kur duhet të përdoret “Xanax”?
I vetmi rast kur një psikiatër sugjeron përdorimin e antidepresanteve është kur pacienti ka probleme me pagjumësinë apo sulme të shpeshta paniku.
Psikiatri Shatrolli tha se xanax, nuk duhet të përshkruhet për kohë të gjata pasi që krijon varësi.
“Kur pacienti shprehë ankesa të natyrës së sëmundjeve trupore, apo pasojë e ndonjë çrregullimi psikiatrik mjeku përshkruan xanax jo më gjatë se 8-10 ditë. Mjekët përshkruajnë anksiolitikë edhe për çrregullime kronike të gjumit, mirëpo xanaxi nuk duhet të jetë njëri nga barnat që përshkruan mjeku për kohë të gjatë”, ka shtuar ai.
Përdorimi i këtij antidepresanti nuk preferohet për personat nen moshën 18 vjeçare dhe sugjerohet të përdoren antidepresant më bazë bimore.
“Xanax hynë ne grupin e benzodiazepineve dhe ka potencial te larte për varësi dhe duhet kujdes nga përdorimi ne sasi me te madhe se sa doza e lejuar apo përdorimi afatgjate. Prandaj përdorimi i tille posaçërisht tek fëmijët apo edhe adoleshentet duhet gjithsesi te behet me kujdes te veçante dhe duke u këshilluar me psikiatrin”, shpjegon Brikena Krasniqi-Hoti, Specialiste e Psikologjise Klinike dhe Psikoterapise nga qendra “Labirint”.
Ministria e Shëndetësisë ka thëne se përdorimi i antidepresivëve duhet të bëhet me përshkrim të mjekut.
“Përdorimi i antidepresivëve duhet të bëhet me përshkrim të mjekut, edhe farmacitë duhet ta respektojnë këtë rregull e të mos u japin pacientëve barna të parekomanduara, në veçanti barna që mund të shkaktojnë edhe varshmëri”, thuhet në një përgjigje të MSH.
Mirëpo kjo nuk po respektohet nga farmacitë.
/ SYRI.net