Anemia gjatë shtatzënisë, si ta parandalojmë?

Periudha e shtatzënisë sjell në trupin e femrës ndryshime të shumta hormonale dhe metabolike. Gjatë kësaj periudhe vëmendja e gruas duhet të jetë maksimale, për të kaluar një shtatzëni të mbarë.

Mungesa e hekurit, e acidit folik dhe e vitaminave të ndryshme shkaktojnë anemi gjatë shtatzënisë, pasi dhe nevoja e organizmit të nënës dhe fëmijës në një situatë të tillë janë më të theksuara.

Lidhur me aneminë gjatë shtatzënië, Dr. Elinda Gjata këshillon që para konceptimit të shtatzënisë të kryhen kontrolle të imtësishme për kontrollin e hekurit në gjak, duke rekomanduar që të mos fillohet një shtatzënië pa patur në normën e duhur hekurin në gjak.

Nënat anemike në këtë fazë të jetës ndihen shumë të dobëta, të përgjumura dhe pa energji, lodhen shpejt, humbasin përqendrimin, kujtesen, infeksionet mezi sherohen, humbasin forcat për lindjen, janë më të predispozuara për patologji të ndryshme pas lindjes, si infeksione apo depresion.

Përse ndodh anemia gjatë shtatzënisë? Anemia është ulja e parametrave të rruazave të kuqe të gjakut, qoftë në numër apo në përbërje. Gjatë shtatzënisë, në trupin e gruas ndodhin një sërë ndryshimesh hormonale dhe metabolike, të cilat kanë si pasojë rritjen e mbajtjes së ujit në organizëm. Kjo sjell fillimisht uljen e numrit të rruazeve të kuqe (eritrociteve) dhe përqendrimin e tyre në njësinë e vëllimit (hematokritin). Ndryshe quhet edhe anemia e hollimit (hemodiluimi). Më pas me zhvillimin e mëtejshëm të barrës, rriten nevojat për hekur në organizmin e gruas shtatzënë, si pasojë e rritjes së kërkesave të fetusit (bebit) dhe të nënës, si dhe rritja dhe zhvillimi i placentës dhe pjesëve mbështetëse të tjera. Anemia nga mungesa e hekurit është anemia më e shpeshtë sidomos tek gratë me një gjendje ushqimore të varfër dhe që është përgjegjëse për 75% të rasteve. Por shkak për anemi është edhe mungesa e acidit folik, vitaminë B12 apo të dyjave bashkë. 12 javë me dietë jo të pasur me këto përbërësa janë të mjaftueshme për shfaqjen e kësaj anemie e cila është më e shpeshtë në barrat binjake apo më shumë.

Përveç anemive të sipërpërmendura, si banorë të rajonit të Mesdheut çfarë sindromash të tjera ekzistojnë? Përveç anemive të mësipërme, si banorë të rajonit të Mesdheut, në vendin tonë kemi dhe anemitë talasemike, që janë sindroma të trashëgueshme të karakterizuara me dëmtime sasiore të sintezës së hemoglobinës normale. Po kështu ndeshën dhe hemoglobinopatitë, si drepanocitoza, që është formë e trashëguar e anemisë si pasojë e sintezës së hemoglobinës patologjike. Këto janë anemi të lindura, të cilat mund të rëndohen në barrë, sidomos talassemia major dhe drepanocitoza, duke çuar edhe në raste të aborteve spontane, vdekjes fetale intrauterine dhe vdekshmërisë përreth lindjes. Në raste të rralla anemia mund të shfaqet si pasojë e infeksioneve të rënda, sëmundjeve metabolike apo mjekimeve të ndryshme.

Cilët janë faktorët favorizues të anemisë? Faktorët favorizues janë: Nënushqyerja, më saktë dieta e varfër në produkte që janë të pasura me hekur, viatmina (kryesisht B dhe C) që ndihmojnë përthithjen e hekurit, folatë etj.

-Humbjet gjatë barrës: hemorragjitë, të vjellat e shtuara, diareja, djeresitja profuze në terrenet patologjike etj, të cilat varferojnë trupin dhe ulin nivelin e hekurit dhe vitaminave të tjera.

-Barrat e shpeshta apo shumë të afërta në kohë, si dhe barrat e shumëfishta

-Sëmundjet e aparatit tretës apo ndërhyrjet kirurgjikale, që ulin përthithjen e hekurit dhe komponentëve të tjerë shoqërues

-Anemitë e mëparshme të gruas, të patrajtuara si duhet, të lindura apo të fituara

-Sëmundje të tjera që kanë pasoja te metabolizmi dhe përthithja e hekurit, si sëmundjet autoimune etj

Çfarë shenjash shfaqen tek nëna? Zakonisht, shtatzënat anemike ankohen për lodhje dhe këputje, marrje mendësh, pamundësi për të qëndruar gjatë në këmbë, vështirësi në frymëmarrje, rrahje më të shpeshta të zemrës, zbehje të lëkurës dhe mukozave, dëmtime të thonjëve, rënie të flokëve dhe ftohje të duarve, këmbëve etj.,

Çfarë është elektroforeza e hemoglobinës dhe pse është shumë e rëndësishme për t’u kryer? Elektroforeza e hemoglobinës është një ekzaminim që bëhet në gjak për të kontrolluar tipet e ndryshme të hemoglobinës që është  proteina përbërëse e rruazave të kuqe të gjakut dhe zë rreth 96 % të përmbajtjes së tyre. Ajo lidhet dhe transporton oksigjenin në të gjithë trupin, për pasojë ulja e nivelit të hemoglobinës çon në uljen e oksigjenimit të organeve jetësore dhe ulje deri në dëmtim të funksionit të tyre. Elektroforeza e hemoglobinës përcakton në mënyrë cilësore dhe sasiore tipat e hemoglobinës. Është pikërisht ky ekzaminim që përdoret për “screening” të talasemive apo hemoglobinopative, sigurisht e kombinuar dhe me analiza të tjera specifike. Nëse kemi dy prindër mbartës të talasemisë, ekziston 25 % mundësi që bebi i ardhshëm i tyre të jetë jo më mbartës, por i sëmurë nga talasemia, që është një formë mjaft e vështirë jete që ka nevojë për transfuzione gjaku të vazhdueshme. Për këtë është shumë e rëndësishme të kontrollohen të gjitha gratë shtatzëna për herë të parë, e nëse ato janë mbartëse, duhen testuar edhe bashkëshortët e tyre.

Si ndikon te foshnja anemia? Përgjithësisht, efektet e anemisë së nënës shtatzënë tek foshnja janë të kufizuara. Vlerat e hekurit dhe të ferritinës fetale janë 3 – 5 herë më të larta se ato të nënës, për këtë arsye duhet që vlerat e anemisë së shtatzanës të jenë shumë – shumë të theksuara (Hb<6 g/dl) që të çojnë në vonesë të rritjes së foshnjes apo më tej. Po kështu, vihet re dhe rreziku i lindjes para kohe apo siç thashë më lart, në rastet e anemive të rënda edhe në humbje të shtatzënive gjatë barrës apo përreth lindjes, fatmirësisht në raste shumë të rralla.

Po te nëna? Nëna anemike, përveç ankesave që përmendëm më sipër, paraqiten shumë të dobëta, si të përgjumura dhe pa energji, lodhen shpejt, humbasin përqendrimin, kujtesen, infeksionet mezi sherohen, humbasin forcat për lindjen, janë më të predispozuara për patologji të ndryshme pas lindjes, si infeksione apo depresion.

Çfarë duhet bërë për ta parandaluar? Një rëndësi të madhe ka këshillimi para konceptimit të shtazënisë. Gjithmonë mjekët kontrollojnë parametrat e hekurit në gjak dhe rekomandojnë të mos fillohet një shtazënani pa i sjellë ato në normë. Regjimi ushqimor është shumë i rëndësishëm. Dieta e pasur me produkte që përmbajnë hekur, si mishi, peshku, bishtajoret që përmbajnë hekurin “pa heme”, sidomos te nënat vegjetariane (bathët, bizelet, fasulet, thjerrëzat), frutat e thata (bajamet, arrat, kumbullat, rrushi, farat e ndryshme etj), perimet dhe zarzavatet e gjelbra që ndihmojnë në përthithjen e hekurit (sallata jeshile, spinaqi, brokoli etj), frutat e pasura me vitainë C etj, ndihmojnë në parandalimin e shfaqjes së anemisë.

Po për ta trajtuar çfarë këshillohet? Në rastet e shfaqjes së anemisë së barrës, trajtimi më i shpeshtë është marrja e kripërave të hekurit, në formë tabletash apo në formë të lëngshme, i kombinuar ose jo sipas nevojës me shtesën e acidit folik apo kompleksit B të vitaminave. Sasia dhe kohëzgjatja e trajtimit rregullohen në varësi të ndryshimit të vlerave të hemoglobinës, hematokritit dhe depove të hekurit. Zakonisht ato zgjasin me muaj dhe në rastet e hemoragjive nga pamjaftueshmëria e hekurit, rekomandohet trajtimi deri në tre muaj pas lindjes. Një grua me një dietë të duhur, që nuk merr suplemente hekuri gjatë barrës i duhen gati dy vjet për të siguruar rezervën normale të hekurit në organizëm.

Intervistoi: Vilma Kërçiku (TV Klan)

SHKARKO APP