“Ankthi” i gjeneve
Në dimrin e vitit 1769, në fillim të udhëtimit të tij në paqësor, eksploruesi anglez James Cook mori nga një prift polinezian me emrin Tupaia një dhuratë të jashtëzakonshme: një hartë. Nuk është e qartë nëse Tupaia e kish hartuar në letër apo vetëm e kish përshkruar me fjalë: e sigurtë është që harta i dha Cookut një vështrim të Paqësorit jugor, shumë më të plotë se ai që çdo europian tjetër kish patur në dispozicion përpara tij. Harta përshkruante të gjithë grupet më të rëndësishëm të ishujve në një zonë afërsisht 5000 kilometra në diametër, nga Markezi deri në Fixhi: përkonte me atë që vetë Cook kishte dokumentuar, dhe tregonte shumë gjëra që kapiteni ende nuk i kishte parë.
Në Tahiti, Cook i kish dhënë Tupaias një shtrat në bordin e Endeavour. Menjëherë pas kësaj, polineziani shushati ekuipazhin duke e udhëhequr anijen deri në një ishull që Cook nuk e njihte, pothuajse 500 kilometra më në jug, pa u konsultuar asnjëherë me busullën, hartat, orën apo sekstantin. Në javët që pasuan, ndërkohë që ndihmonte në drejtimin e Endeavour nga një arkipelag në tjetrin, Tupaia i habiti sërish marinarët me aftësinë e tij për të treguar me saktësi në drejtim të Tahitit, në çdo moment të ditës apo të natës, me apo pa re.
Cook ishte i vetmi i eksploratorëve europianë që kuptonte domethënien e vërtetë të bëmave të Tupaias. Banorët e ishujve të shpërndarë në të gjithë Paqësorin jugor ishin pjesë e një populli të vetëm që shumë kohë më parë kish eksploruar, kolonizuar dhe krijuar hartën e atij oqeani të madh, pa patur në dispozicion asnjë prej instrumentave detarë që Cooku i konsideronte të domosdoshëm; dhe i kishte ruajtur ato harta vetëm në kujtesë, duke i transmetuar me traditën gojore.
Kanë kaluar dy shekuj, dhe sot rrjeti global i gjenetistëve që përpiqen të rindërtojnë flukset migrues të njeriut modern duke analizuar gjurmët e ADN të përhapura nëpër vendet ku ka shkelur, si thërrime, mund t’i demonstrojë Cookut se kishte të drejtë: paraardhësit e Tupaias kishin kolonizuar Paqësorin 2300 vjet më herët. Emigrimi i tyre pothuajse i pamundur përmes Paqësorit ishte vazhdimi i një marshimi të gjatë drejt lindjes, që e kish patur fillimin në Afrikë, 70 mijë vjet më parë. Nga ana e tij Cook, me udhëtimin e tij, vazhdonte migrimin nga Afrika drejt perëndimit, që paraardhësit e tij kishin ndërmarrë pak a shumë në të njëjtën kohë me ata të Tupaias. Kështu takimi mes këtyre dy burrave kishte mbyllur një rreth të hapur me mijëra vite më parë.
Cook vdiq dhjetë vjet më vonë në Hauai, për shkak të një grindjeje që përfundoi keq. Ishullorët grabitën një varkë; kapiteni humbi qetësinë dhe hapi zjarr, dhe bashkë me ekuipazhin e tij vrau disa prej tyre, por hauaianët arritën ta kapin në betejë dhe e goditën deri sa vdiq. Për disa, vdekja e Cook shënoi fundin e një epoke që historianët perëndimorë e quajnë era e eksplorimeve. Por që atëherë, sigurisht që nuk kemi pushuar së eksploruari. Kemi mbetur të fiksuar pas nevojës për të shtuar detaje në hartat gjeografike të Tokës; të arrijmë polet, majat më të larta, humnerat oqeanike më të thella; të lundrojmë deri në skajet më të largët dhe të fluturojmë larg nga planeti, në hapësirë. Sot, ndërkohë që ndjekim me pasion “Curiosity”-n teksa eksploron Marsin, SHBA, bashkë me disa qeveri dhe kompani private, përgatiten të dërgojnë edhe njeriun në planetin e kuq. Ka ëndërrimtarë që flasin edhe për dërgimin e një mjeti hapësinor në yllin më të afërt.
Michael Barratt – që ka qenë mjek, eksplorues nënujor, marinar, pilot, dhe prej 12 vitesh është astronaut i NASA-s – është mes atyre që mezi presin të shkojnë në Mars. Ai i konsideron udhëtimet e tij si vazhdimin e atij në Paqësor të Cook dhe Tupaias. “Po bëjmë tamam si ata”, shpjegon. “Ka qenë gjithmonë kështu, në çdo moment të historisë së njeriut. Një shoqëri zhvillon një teknologji që bën të mundur, qoftë kjo aftësia për të ruajtur dhe transportuar ushqimin, qoftë ajo e ndërtimit të një anije apo lëshimit të një rakete. Pastaj gjendet gjithmonë dikush që ka pasion të niset dhe eksplorojë të panjohurën, edhe kur kostoja për këtë është shumë e lartë”.
Jo të gjithë “vdesim” nga dëshira për të “kalëruar” një raketë apo për të naviguar në hapësirën e pafundme. Por kureshtja tipike e species sonë na shtyn të financojmë një pjesë të udhëtimit dhe të festojmë kur kthehen udhëtarët. Eshtë e vërtetë që eksplorojmë për të gjetur një vend më të mirë për të jetuar, për të pushtuar territore të rinj, për të gjetur fatin, pasurinë. Por eksplorojmë edhe thjeshtë për të zbuluar se çfarë ka në anën tjetër.
“Asnjë sisor tjetër nuk lëviz siç bëjmë ne”, thotë Svante Paabo, drejtor i Institutit Max Planck të Antropologjisë evolutive në Laipzig, ku studion origjinën e njeriut përmes gjenetikës. “Ne shpërthejmë kufijtë. Shtyhemi në territore të rinj edhe atëherë kur nuk na mungojnë burimet aty ku ndodhemi. Kafshët e tjera nuk e bëjnë. As edhe speciet e tjera humane. Neandertalët kanë jetuar për qindra-mijëra vite, por nuk janë përhapur asnjëherë nëpër botë. Ne brenda vetëm 50 mijë viteve kemi pushtuar të gjithë planetin. Ka një lloj marrëzie në gjithë këtë. Kur udhëton në det të hapur nuk e ke idenë çfarë ka në anën tjetër. Dhe tani shkojmë në mars. Nuk ndalemi asnjëherë. Përse?”
Tamam, përse vallë? Pabo dhe studiuesit e tjerë që përpiqen të gjejnë përgjigjen janë edhe ata vetë eksplorues që hyjnë në territore gjithmonë të rinj. E dinë që në çfarëdolloj momenti mund të jenë të detyruar të kthehen pas dhe të riorganizohen. E dinë që disiplinat e tyre – antropologjia, gjenetika, neuropsikologjia e zhvillimit – janë të reja. Dhe që çdo lloj teorie mund të shembet në dritën e zbulimeve të rinj. Por për ata që studiojnë sjelljen njerëzore, impulsi për të eksploruar është një argument i parezistueshëm. Prej nga lind kjo “marrëzi”? Cfarë na ka shtyrë të lëmë Afrikën dhe të mbërrijmë deri në Hënë e përtej?
Nëse impulsi ynë për të eksploruar është i lindur, ndoshta origjina e tij qëndron tek gjenomi. Dhe në fakt ekziston një mutacion gjenetik për të cilin flitet shpesh kur këqyren këto tema: është një variant i llojit DRD4 që shërben për të kontrolluar dopaminën, një neurotransmetues i prodhuar nga truri që ka një rol të rëndësishëm në mekanizmat e mësimit dhe shpërblimit. Varianti, të cilin e kanë pothuajse 20 përqind e qenieve njerëzore, quhet DRD4-7R dhe studime të ndryshëm e lidhin me kuriozitetin. Kush e ka mendohet të jetë më i prirur të ndërmarrë risqe, të eksplorojë vende dhe ide të reja, të provojë ushqime të rinj, marrëdhënie, droga, të përfitojë nga okazionet seksualë dhe në përgjithësi të pranojë me entuziasëm lëvizjen, ndryshimin dhe aventurën. Jo rastësisht varianti mendohet të lidhet dhe me ADHD, shqetësimi i mangësisë së vëmendjes dhe hiperaktivitetit.
Studime të ndryshëm kanë gjetur një lidhje mes variantit 7R dhe migrimeve njerëzorë. Në 1999 një studim i parë me rreze të gjerë, i kryer nga Chuansheng Chen i Universitetit të Californias në Irvine tregoi që mes popullsive të reja nomade 7R ishte më i pranishëm se sa në ato të vendosura.
Një konfirmim i mëtejshëm vjen nga një tjetër studim i fundit. Mes fiseve nomadë të Ariaal, një popullsi afrikane, bartësit e 7R kanë prirjen që të jenë më të fortë dhe më pak të ushqyer se sa ata që nuk e kanë, një e dhënë që tregon një prirje më të lartë ndaj jetës nomade dhe ndoshta edhe një status social më të lartë. Ndërkohë që nëse kryejnë një jetë pa lëvizje në fshatra, bartësit e 7R janë të prirur të jene më të kequshqyer. Pra, siç ndodh tek shumë gjene dhe tipare, vlera e variantit varet nga mjedisi.
Cilido qoftë konkluzioni final mbi rolin e 7R, gjenetistët bien dakord për faktin që nuk mjafton një gjen apo një bashkësi gjenesh për të na programuar për eksplorim. Eshtë më e mundur që grupe të ndryshëm gjenesh kontribuojnë për të krijuar tipare të shumëfishtë: disa na ofrojnë instrumentat që nevojiten për të eksploruar, të tjerë, mes të cilëve ndoshta 7R, na shtyjnë ta bëjmë. Pra, nuk ka nevojë të mendohet vetëm për impulsin, por edhe për aftësinë. Nuk mjafton motivimi, duhen edhe mjetet.
Jim Noonan, ekspert i gjenetikës së zhvillimit dhe evolucionit, merret me këto tema. Kërkimi i tij është i përqëndruar në gjenet përbërës të dy sistemeve kycë të organizmit tonë: artet dhe truri. “Do të jem në konflikt interesi”, shpjegon, “por nëse më duhet të sintetizoj do të thoja që aftësia jonë si eksploratorë buron pikërisht nga këta dy sisteme”. Tek njeriu, vazhdon ai, gjenet që formojnë artet dhe trurin janë në thelb të njëjtë me ata që kryejnë të njëjtin funksion tek hominidët e tjerë dhe tek majmunët antropomorfë. Dallimet mes specieve vijnë mbi të gjitha nga fakti që gjenet aktivizojnë dhe ndalin proceset e zhvillimit në kohë të ndryshme. Tek njeriu procesi prodhon këmbë dhe më tej i lejon të kryejnë distanca të gjata, duar shumë të afta dhe një tru akoma më të aftë që rritet shumë më ngadalë se sa ai i primatëve të tjerë, por arrin dimensione shumë më të mëdhenj. Këta tre tipare na dallojnë nga majmunët e mëdhenj dhe, në detaje të vegjël evolutivë, nga hominidët e tjerë.
Këta dallime, vazhdon Noonan, përbëjnë një tërësi unike me tipare që janë prodhuar posacërisht për të stimuluar eksplorimin. Kemi një lëvizshmëri të madhe, një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme dhe “më e rëndësishmja nga të gjitha, një tru në gjendje të elaborojë një mendim imagjinues”. Dhe cdo lloj tipari amplifikon të tjerët. “Marrim një vegël”, shpjegon studiuesi. “Nëse dimë ta përdorim dhe kemi imagjinatë të mjaftueshme, do të na vijnë në mendje mënyra të tjera për ta përdorur”. Dhe ndërsa mendojmë, imagjinojmë objektiva të tjerë që ai mjet mund të na ndihmojë të arrijmë.
Ky qark retroveprimi, vëren Noonan, ndihmoi eksploruesin e madh anglo irlandez Ernest Shackleton që të shpëtonte kur, në 1916 anija e tij u rrethua nga akujt e Antarktidës dhe ai mbeti i bllokuar me ekuipazhin e tij në Elephant Island. Në 1300 kilometra distancë nga vendbanimi më i afërt njerëzor, me 27 burra të tejlodhur, shumë pak ushqim, Schackleton mendoi një plan në dukje të marrë. Me mjetet e paktë elementarë që kishte në dispozicion modifikoi një varkë (një tjetër mjet) për t’i mundësuar të përballte një sipërmarrje që shkonte përtej qëllimeve për të cilët ishte projektuar dhe pastaj, me pesë burra dhe pak instrumenta detarë, u nis në një udhëtim që shumë pak do të kishin guxuar edhe ta imagjinonin. Por ia doli…
Sipas Noonan, aventura e Shackleton tregon qartë dinamikën që ka udhëhequr që nga fillimi prpogresin dhe eksplorimet e njeriut: ushqimi i aftësisë me imagjinatën, gjenerojmë të mira që “favorizojnë seleksionimin natyror të këtyre dy tipareve”.
"Le Scienze"