Asistencë nënave të reja për ushqyerjen e foshnjeve me qumësht gjiri

Për rritjen, shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të foshnjës, si dhe shëndet më të mirë të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës. Instituti i Shëndetit Publik, thotë se spitalet po mbështesin nënat për të ushqyer me gji foshnjat e tyre duke kontrolluar pozicionin e vendosjes së të porsalindurit në gji, duke i dhënë ndihmë praktike nënës gjatë ushqyerjes me gji si dhe duke ndihmuar nënën për problemet që hasen më shpesh gjatë ushqyerjes me gji.

Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës.

Edhe pse jemi në gusht dhe temperaturat janë të larta, bebet nuk kanë nevojë të pinë ujë, pasi u mjafton qumështi i nënës, i cili në përbërjen e tij 88% e ka ujë. Po ashtu, ata theksojnë se vetëm qumështi i gjirit përmban lëndët apo trupëzat mbrojtës. Në bazë të statistikave, rreth 30% e vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhet me kequshqyerjen, dhe 18% prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes nën optimale me gji.

Instituti i Shëndetit Publik nxit nënat dhe të mirat e ushqyerjes me gji të fëmijëve duke qenë se është Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, që është një aksion madhor që zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë muajit gusht.

SHKARKO APP