Aspirinë për të moshuarit, e nevojshme apo e rrezikshme?
Të moshuarit në gjendje të mirë shëndetësore nuk duhet të marrin aspirinë çdo ditë. Në këtë përfundim ka arritur një studim afatgjatë i kryer në SHBA dhe Australi. Studimet kanë treguar se ky ilaç është i mirë për njerëzit që kanë pësuar një atak në zemër apo goditje në tru.
Studimi i fundit ka zbuluar se aspirina nuk ka asnjë benefit për njerëzit e shëndetshëm mbi 70 vjeç, madje këto pilula rrisin rrezikun për hemorragji. Mjekët e rekomandojnë këtë ilaç për pacientët që kanë pësuar atak në zemër apo goditje në tru duke qenë se hollon gjakun dhe ul rrezikun për përsëritje të atakut.
Disa njerëz plotësisht të shëndetshëm zgjedhin të marrin aspirinë për të ulur rrezikun ndaj këtyre sëmundjeve. Ndërkohë, po vazhdojnë të bëhen akoma më shumë hulumtime shkencore nëse aspirina mund të përdoret për uljen e rrezikut të kancerit.
Në studim u përfshinë gati 20 mijë njerëz mbi 70 vjeç nga SHBA dhe Australia, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishin pasur më parë probleme me zemrën. Gjysma e tyre morën një dozë ditore me aspirinë për 5 vite. Tre raporte të publikuara te New England Journal of Medicine tregojnë se pilulat nuk e ulën rrezikun për zhvillimin e problemeve me zemrën dhe nuk kishin asnjë përfitim tjetër shëndetësor.
“Kjo do të thotë se është e panevojshme që miliona njerëz të shëndetshëm në të gjithë botën të marrin doza të ulëta të aspirinës pa asnjë arsye mjekësore, sepse studimi nuk tregon asnjë përfitim shëndetësor”,-deklaron prof. John McNeil, nga Universiteti Monash. “Këto gjetje mund të ndihmojnë mjekët të cilët kanë qenë të pasigurt nëse duhet ta rekomandojnë aspirinën për pacientët e shëndetshëm”.