Beqaj: Banorët e Alliasit Shërbim shëndetësor më afër zonës së tyre të banimit

Fondi prej 230 mijë euro i financuar nga “Save the Children”, për ngritjen dhe pajisjen e qendrës shëndetësore Nr. 10, Pika 2

Tiranë, 15/11/2016 – Banorët e Alliasit në kryeqytet do të marrin shërbimin shëndetësor parësor më pranë zonës së tyre të banimit, dhe kjo falë projektit të mbështetur nga “Save dhe Children”, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Bashkië e Tiranës, që ka bërë të mundur ngritjen dhe pajisjen e qendrës së re shëndetësore në këtë zonë.  Të pranishëm në ceremoninë e përurimit dhe nisjes së ofrimit të shërbimit shëndetësor në këtë QSH të re, kanë qenë Ministri  i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Nënryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Arbjan Mazniku, si dhe Drejtori Ekzekutiv i “Save the Children” Zvicër,  z.Omer Guven.

Ngritja e kësaj qendreje shëndetësore krijon mundësinë e e aksesit të qëndrueshëm dhe të barabartë në përdorimin e shërbimeve dhe praktikave të kujdesit shëndetësor Parësor, si dhe në veçanti, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve parandaluese,  kuruese dhe informuese për fëmijët dhe gratë shtatzëna në një nga zonat periurbane të Tiranës, në Allias. Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, gjatë fjalës së tij ka pohuar se përveç reformave të ndërmarra në shëndetësi, dhe pikërisht në shërbimin Parësor ku vizita tek mjeku i familjes është falas, apo vitin e ardhshëm kur barnat me rimbursim do të ofrohen edhe për 600 mijë pacientët e pasiguruar, një tjetër shërbim për pacientët është edhe ofrimi i shërbimit sa më pranë zonave të tyre të banimit.

“Krijimi i kësaj qendreje këtu i ofron mundësi të gjithë këtij komuniteti, që nga nënat shtatzënë deri tek më të moshuarit ta kenë shumë pranë shërbimin shëndetësor, madje, nëse shohim kushtet ku do të ofrohet ky kujdes këtu, duhet ta pranojmë që ka kushte shumë më të mira edhe se Qendra Shëndetësore që janë shumë të ngarkuara që janë në mes të qytetit të Tiranës. Është një nga projektet që, prej tre vjetësh “Save the Children”, ka në fokusin e vet nënën dhe fëmijën, mbështet shëndetësinë shqiptare”, ka nënvizuar ministri Beqaj, ndërsa pohoi se ajo çka është e rëndësishme sot, është kapja e sëmundjeve në faza të hershme edhe parandalimi i tyre.

Përveç përmirësimit të eksesit dhe cilësisë së shërbimit shëndetësor, si e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve të Shqipërisë dhe që përputhet me reformën e Ministrisë së Shëndetësisë për Mbulim Universal me kujdes shëndetësor, “Save the Children” ka realizuar edhe fushata edukuese me gratë e moshës riprodhuese të zonës së Alliasit (përfshirë edhe seanca të veçanta me komunitetin rom dhe egjiptian), për të rritur njohuritë dhe praktikat mbi ushqyerjen e fëmijëve 0-5 vjeç si dhe ndërgjegjësimin mbi kujdesin që duhet të tregojnë gratë gjatë shtatzënisë dhe pas saj.

Duke u ndalur ofrimi i shërbimit shëndetësor tek këto kategori të popullatës z. Omer Guven, Drejtori Ekzekutiv i “Save the Children” Zvicër, theksoi se organizata që ai drejton “e mbështet fuqimisht vizionin e Qeverisë së Shqipërisë për vendosjen e Mbulimit Universal të kujdesit shëndetësor për të gjithë banorët e shqiptarët rezidentë”. Ne jemi të kënaqur, tha më tej ai, “që t’ju mbështesin në përpjekjet tuaja për fuqizimin e sistemit shëndetësor kombëtar, duke ofruar akses ndaj shërbimeve cilësore shëndetësore për të gjithë fëmijët dhe prindërit e grupeve vulnerabile dhe të margjinalizuara, dhe sidomos aksesit ndaj kujdesit shëndetësor Parësor për gratë shtatzëna, nenat, foshnjat dhe fëmijët”. Çelësi i suksesit të këtij projekti, u shpreh z. Guven, është qartësisht bashkëpunimi i mirë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Bashkinë e Tiranës, për zbatimin e këtij modeli të ri të ofrimit të shërbimit cilësor shëndetësor për për çdo nënë dhe fëmijë të zonave peri-urbane të Tiranës.

Investimet në zonën e Alliasit kanë edhe në në fokus të Bashkisë së Tiranës, ku janë rikonstruktuar kopshte, shkolla, çerdhe ndërkohë që vitin e ardhshëm do të plotësohet edhe infrastruktura rrugore. Për Nënryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Arbian Mazniku, të gjitha këto investime do të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve të zonës. “Bashkëngjitur me qendrën multifunksionale që pothuajse ka mbaruar dhe shkollën që është në mbarim e sipër vetëm pak metra prej këtej, krijojmë këtu një pol me tre shërbime të rëndësishme, çerdhe, kopshti, qendra multifunksionale, social kulturore, shkollën, por edhe qendrën shëndetësore, duke e kthyer këtë në një pol të mirëfilltë për të gjithë këtë zonë që ka jo pak, por 10 mijë banorë, të cilët për të marrë këtë shërbim, nuk kanë nevojë tashmë që të bëjnë udhëtime të gjata. Gjatë këtij viti ne synojmë që gjithashtu të fillojmë dhe investimet në përmirësimin e rrugës dhe eventualisht në shtimin dhe densifikimin në këtë zonë të transportit publik për ta kthyer këtë në një zonë e cila ka mundësi të jetojë në mënyrë dinjitoze si një pjesë e rëndësishme e qytetit të Tiranës” theksoi Mazniku.

Kjo qendër e ndërtuar dhe e pajisur me të gjitha pajisjet mjekësore është në përputhje me të gjitha standardet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, do të jetë në funksion të rreth 10.000 banorëve në zonën e Alliasit, ku 2500 prej tyre janë fëmijë të grupmoshës 0-14 vjeç.

Shërbimet shëndetësore që do të ofrojë qendra janë:

– Shërbimi shëndetësor parësor për të rritur (2 mjekë patologë + 2 infermiere);

– Shërbimi shëndetësor parësor për fëmijë (1 mjek pediatër + 1 infermiere);

– Shërbimi për gratë shtatzëna në konsultoren e gruas (1 mjek obstetër–gjinekolog + 1 infermiere);

– Shërbimi për fëmijët dhe vaksinimi i tyre në konsultoren e fëmijëve (1 mjek pediatër + 4 infermiere);

– Kontrolli mjekësor bazë për të gjithë qytetarët e grupmoshës 35 – 70 vjeç në kabinetin e check–up, i cili do të rrisë aksesin e banorëve të këtij komuniteti në kontrollin shëndetësor bazë duke bërë të mundur parandalimin e sëmundjeve të ndryshme që prekin këtë grupmoshë.

 —###—

Fjala e plotë e ministrit Beqaj:

Mirëdita!

Së pari, besoj se falënderimi i parë duhet ti shkojë “Save the Children” për këtë dhuratë të bukur që i ofrojnë komunitetit të banorëve të Alliasit, por edhe gjithë sistemit shëndetësor Parësor të Tiranës edhe të vendit.

Unë besoj se një falenderim i dytë i shkon Bashkisë së Tiranës, e cila qe shumë e gatshme që në kuadrin e një përmirësimi të cilësisë së jetës në çdo qelizë të qytetit të Tiranës, ose më mirë të themi, të Bashkisë së Tiranës që tashmë është shumë më e madhe sesa qyteti tradicional. Bashkë me ndërtimin e shkollës, përmirësimin e rrugës, të kanalizimeve, bashkë me krijimin e mundësisë për një njësi sociale, kopësht dhe çerdhe, (Bashkia e Tiranës) qe shumë e gatshme që të ofronte dhe mundësitë e ngritjes së kësaj, që ne ende për arsye konvencionale e quajmë pikë shëndetësore, por ju që keni vite që punoni në shëndetësi e dini se kush është ndryshimi midis një pike të dikurshme dhe kësaj Qendre Shëndetësore që është hapur këtu.

Dhe nëse në këto, më shumë se tre vite tashmë, qeveria ka bërë përpjekje të rëndësishme për të ofruar Mbulim Shëndetësor për të gjithë, kudo, e drejta që njerëzit gëzojnë tashmë me ligj për të marrë shërbim falas duhet të jetë e ndjeshme dhe e prekshme, sa më pranë vendbanimit në mënyrë që distancat gjeografike të mos kthehen pastaj në barriera për të mos marrë shërbim shëndetësor.

Ne e ofrojmë mjekun e familjes falas për këdo tashmë që nga janari i këtij viti. Do të fillojmë janarin e vitit tjetër të ofrojmë për të gjithë qytetarët mundësinë për të përfituar nga rimbursimi i barnave. Programin e “check-up”-it falas e shtrimë deri në moshën 70-vjeçare, por nëse ka sëmundje, dhe kryesisht ato sëmundje kronike që nuk dhembin, shpeshherë kemi mosvëmendje dhe pakujdesi, dhe nuk drejtohemi tek mjeku edhe për distancën gjeografike që kemi.

Krijimi i kësaj qendreje këtu i ofron mundësi të gjithë këtij komuniteti, që nga nënat shtatzanë deri tek më të moshuarit, ta kenë shumë pranë shërbimin shëndetësor, madje, po të shohim kushtet ku do të ofrohet ky kujdes këtu, duhet ta pranojmë që ka kushte shumë më të mira edhe se Qendra Shëndetësore që janë shumë të ngarkuara që janë në mes të qytetit të Tiranës.

Është një nga projektet që prej tre vjetësh “Save the Children”, që në fokusin e vet ka nënën dhe fëmijën, mbështet shëndetësinë shqiptare, ka patur projekte në disa qytete të ndryshme. Ky investim këtu bashkë me mbështetjen që do të jepet edhe për 12 muaj është rreth 250 mijë dollarë, një investim i rëndësishëm që zgjeron hartën e kujdesit shëndetësor në vend.

Unë besoj se është shumë e rëndësishme që ne ta fuqizojmë kujdesin shëndetësor Parësor, ta fuqizojmë mjekun e familjes, sepse besoj se sfidat e mëdha me të cilat ndeshemi sot, po që do të ndeshemi edhe në të ardhmen në shoqërinë shqiptare, e cila, nëse nuk po plaket edhe ajo po moshohet, nuk do ja dalim dot vetëm me trajtimin e sëmundjeve në fazë të avancuar, me raste urgjente, nëse nuk fillojmë të fokusohemi te shëndeti përpara, se sa te sëmundja, të merremi me qytetarin, para se ai të jetë pacient. Dhe besoj, se prezenca sa më pranë vendbanimit, prezenca kudo në territor është një element i rëndësishëm i arritjes së asaj se çfarë ne duam të bëjmë, por dhe në radhë të pare, atë çfarë qytetarët meritojnë.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Edhe një herë faleminderit të gjithë partnerëve që mbështetën këtë projekt, por padyshim, falënderimi kryesor dhe më i rëndësishmi shkon për mjekët dhe infermierët që punojnë çdo ditë edhe në kushte jo shumë të mira, ndoshta edhe me mungesa të herëpashershme, për ti shërbyer me devocion gjithë qytetarëve.

Faleminderit!

—###—

Fjala e plotë e nënkryetarit Mazniku:

Shumë faleminderit të gjithëve!

Kjo është një ditë mjaft e mirë për komunitetin e  Alliasit ku kemi mundësi të inaugurojmë këtë qendër shëndetësore. Është shumë e rëndësishme për zonën. Pjesë e motos së punës së Bashkisë dhe këtij viti është që t’u ofrojmë shërbimin qytetarëve në të gjithë qytetin e Tiranës në mënyrë të barabartë, të njëjtë, jo ndryshe në qendër e ndryshne në Bllok, ndryshe në Allias, Shëngjergj, Pezë, por të kemi mundësi që të shpëndajmë shërbimet në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë qytetin.

Shpërndarja e shërbimeve në të gjithë qytetin e ri, i cili duhet thënë gjatë këtij viti është 25 herë më i madh se çka qenë më parë, është një punë e vështirë dhe që kërkon shumë investime.

Kjo qendër me këtë investim prej rreth 250 mijë dollarësh, është pjesë e një seti të madh investimesh publike që kanë ndodhur në Bashkinë e Tiranës gjatë këtij vitit nëpërmjet një fryme për të nxitur sa më shumë donacionet ose investimet nëpërmjet filantropisë në qytetinen Tiranës.

Këtë vit, ne kemi arritur të riparojmë ose ristrukturojmë 32 çerdhe në këtë mënyrë dhe 26 shkolla. Edhe kjo në qendrat shëndetësore është një ndërhyrje e dobishme. Pjesë e modelit që kemi tentuar dhe do vijojmë të tentojmë në mënyrë të vazhdueshme është krijimi i mikro-qendrave të vogla të komuniteteve në mënyrë që komuniteti të ketë mundësi që shërbimet bazike t’ i gjejë sa më parë në vendin ku jeton.

Bashkëngjitur me qendrën multifunksionale që pothuajse ka mbaruar dhe shkollën që është në mbarim e sipër vetëm pak metra prej këtej, krijojmë këtu një pol me tre shërbime të rëndësishme, çerdhe, kopshti, qendra multifunksionale, social kulturore, shkollën, por edhe qendrën shëndetësore, duke e kthyer këtë në një pol të mirëfilltë për të gjithë këtë zonë që ka jo pak, por 10 mijë banorë, të cilët për të marrë këtë shërbim, nuk kanë nevojë tashmë që të bëjnë udhëtime të gjata.

Gjatë këtij viti ne synojmë që gjithashtu të fillojmë dhe investimet në përmirësimin e rrugës dhe eventualisht në shtimin dhe densifikimin në këtë zonë të transportit publik për ta kthyer këtë në një zonë e cila ka mundësi të jetojë në mënyrë dinjitoze si një pjesë e rëndësishme e qytetit të Tiranës.

Dua sërish të falenderoj këtu “Save thë Children” për këtë investim shumë të rëndësishëm. Shpresojmë që do vazhdojmë të ndajmë projekte të ngjashme në të gjithë qytetin e Tiranës, i cili ka shumë nevojë për ndërhyrje të tilla dhe padyshim Ministrinë e Shëndetësisë për gatishmërinë në të cilën u impenjua në këtë investim.

Mjafton të them që nga momenti parë që kemi nisur diskutimin për këtë çështje, ka qenë më pak se një vit më parë, pasi janë bërë dokumentacionet, letrat, lejet e të gjitha, ju keni parë se gjithçka është realizuar në më pak se 6 muaj, që është një kohë rekord për investimet publike tipikisht në Shqipëri. Në fund pa dyshim dua të falenderoj mjekët e infiermierët që punojnë këtu.

E di që ndoshta lëvizja në këtë zonë, nga këndvështrimi i punës nuk mund të jetë ideale, sepse duhet të vini këtu çdo ditë e të largoheni, por besomëni, komuniteti i Alliasit dhe këtu flas edhe në emër të Kryetares së Njësisë, por edhe të gjithë qytetarëve, do u jetë shumë mirënjohës për faktin që do vini çdo ditë të punoni këtu.

SHKARKO APP