Beqaj: Për herë të parë, program i plotë kombëtar vaksinimi ndaj gripit

Kështu tha sot (15/11/2014) Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takimin e zhvilluar me punonjës e drejtues të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit të Durrësit, ku mori pjesë edhe Dr. Klodiana Spahiu, Deputete e PS-së për Durrësin, si dhe drejtues të ISHP-së e institucioneve sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Ministri Beqaj, duke i’u përgjigjur interesit të mediave të pranishme, shpjegoi se institucioni që ai drejton ka mundësuar ofrimin e vaksinës për 13500 punonjës të shëndetësisë (mjekë, infermierë, etj) në kujdesin parësor dhe spitalor, që kanë kontakte të ngushta me pacientet në praktikën klinike. “Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishem për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj, duke shtuar se programi i porsanisur sot (15/11/2014) nga Durrësi do të zgjasë deri më 31 Dhjetor, “pasi edhe rekomandimet e OBSH vlerësojnë se vaksinimi ndaj gripit duhet të bëhet në vjeshtë.”

Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip, dh nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike. “Kështu, duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët,” – tha kreu i shëndetësisë në vend.

Ndërsa znj. Spahiu falënderoi në fjalën e saj ministrin Beqaj për përkushtimin dhe punën lidhur me përgatitjen e një programi të tillë mbarëkombëtar vaksinimi, dhe për faktin që ky program u zgjodh për të filluar në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, Deputetja Spahiu shprehu falënderimin për drejtuesit e DRSH-së së Durrësit, si dhe drejtuesit e ISHP-së për punën e palodhur në jetësimin e këtij programi.

Në sezonin 2013-2014, numri i rasteve të raportuara me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme arriti në 16215 në javë, në pikun e qarkullimit të virusit të gripit. Komiteti Kombëtar i Imunizimit udhëzon (31 korrik 2014) të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësorë dhe të gjithë ata që punojnë në mjediset shëndetësore dhe kanë kontakt të ngushtë me të sëmuret pasi kemi të bëjmë me një sëmundje të shkaktuar nga një virus i cili transmetohet nëpërmjet rrugëve ajrore dhe kontaktit të ngushtë.

Gjithashtu, ky virus përhapet në masën e gjërë të popullatës gjatë sezonit të gripit, ndërkohë që, i tillë është edhe rekomandimi i dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Informacion për Virusin e Gripit

OBSH rekomandon si më poshtë për përbërjen e viruseve të Gripit në vaksinat që do të përdoren në hemisferën veriore në sezonin e Gripit 2014 -2015:

– A/California/7/2009 (H1N1)pdm09-like virus

– A/Texas/50/2012 (H3N2)-like virus;

– B/Massachusetts/2/2012-like virus

Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishem

për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk.

Arsyet bazë:

– Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu.

– Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.

– Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjëndje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.

– Çdo njeri mund të sëmurët shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.

– Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip.

– Nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike

– Duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët.

 

Një studim ka treguar se gjatë gripit sezonal 2011 – 2012, vaksinimi ndaj gripit u shoqerua me reduktimin e shtrimeve në spital për sëmundje të lidhura me të, me 71% tek të rriturit (adultët) e të gjitha moshave, dhe një reduktim me 77% tek adultet 50 vjeç e lart.

Vaksinimi kundër gripit duhet të bëhet në vjeshtë.

Ministria e Shëndetësisë ka mundësuar ofrimin e vaksinës për 13500 punonjës të shëndetësisë (mjekë, infermierë, etj) në kujdesin parësor dhe spitalor, që kanë kontakte të ngushta me pacientet në praktikën klinike.

Në këtë mënyrë, Ministria e Shëndetësisë, përvec rekomandimeve të OBSh, zbaton edhe një detyrim ligjor të përcaktuar në VKM nr. 550, datë 27.8.2014 “Për miratimin e Rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”

Legjislacioni për sigurinë dhe shëndetin në punë parashikon:

(VKM nr. 550, datë 27.8.2014 “Për miratimin e Rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”)

Kodi i Rekomanduar i Praktikës për Vaksinimin

1. Nëse vlerësimi i riskut tregon që ka një risk për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve për shkak të ekspozimit të tyre ndaj agjentëve biologjikë, për të cilët ekzistojnë vaksina të efektshme, punëdhënësi duhet t’u ofrojë atyre vaksinimin.

2. Vaksinimi duhet të kryhet në përputhje me rregullat e miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Punëmarrësit duhet të informohen për përfitimet dhe anët negative, si të vaksinimit, ashtu dhe të mosvaksinimit.

3. Vaksinimi duhet të ofrohet pa pagesë për punëmarrësit

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që, edhe për sezonin 2014-2015, grupet e popullatës të cilët duhet të marrin vaksinën ndaj gripit sezonal për shkak të rrezikut të komplikacioneve serioze, janë:

 

a. Gratë shtatzëna;

b. Personat me moshë mbi 6 muaj që vuajnë nga sëmundje kronike;

c. Të moshuarit;

d. Rezidentët në institucione të kujdesit social për të moshuarit (azile);

e. Personat me aftesi të kufizuara, rezidentë në institucione të kujdesit social;

f. Fëmijët me moshë 6 muaj deri 59 muaj (5 vjeç);

g. Punonjësit e shëndetësisë;

 

 

SHKARKO APP