Çdo javë gripi prek 16 mijë persona
16 mijë persona janë të prekur çdo javë nga infeksionet respiratore të sipërme. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik thonë se pragu i epidemisë arrin kur numri i të prekurve të jetë 20 mijë çdo javë, e me gjasë mesi i shkurtit mund të na sjellë në këto shifra.
“Trendi i infeksioneve respiratore të sipërme paraqet rritje. Jemi duke shkuar drejt pikut të këtyre infeksioneve. Por duhet thënë se nuk ka vend për panik, ndërkohë që këmbëngulim te vaksinimi i popullatës, si mjeti kryesor parandalues”, tha Artan Simaku, ekspert i ISHP-së.
Përveç vaksinës, ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik sugjerojnë mosfrekuentimin e vendeve të mbipopulluara. “Personat që kanë shenja të gripit, me temperaturë, skuqje sysh apo rrjedhje hundësh, duhet të paraqiten menjëherë te mjeku i familjes. Nënat me fëmijë të vegjël nuk duhet t’i çojnë fëmijët me temperaturë në kopshte apo shkolla. Sigurisht nuk duhet të paraqiten në farmaci për të marrë mjekim e të pritet që gjendja të përmirësohet, pasi mund të përkeqësohet më shumë”, tha eksperti i ISHP-së.
Në vendin tonë, ashtu si dhe në vende të tjera të rajonit po qarkullojnë viruset AH1N1 dhe AH1N3, shtamet e të cilave i përmban edhe vaksina e këtij viti.