Çfarë ndodh me organizmin kur mungon kaliumi, ushqimet ku gjendet

Kur mendon për lëndët ushqyese që i nevojiten trupit, me siguri që kaliumi nuk përfshihet, por që duhet. Pjesa më e madhe e kaliumit në trup shkon tek qelizat, ku ndihmon në komunikimin mes nervave dhe muskujve, transportimin e lëndëve të tjera ushqyese, funksionimin si duhet të veshkave dhe parandalimin e rritjes së niveleve të sodiumit, shkruan shendeti.

Nuk do të keni mungesë të kaliumit nëse konsumoni shumë fruta dhe perime, edhe pse shumë njerëz nuk konsumojnë mjaftueshëm ushqime të papërpunuara – ku dozat e kaliumit janë shumë të larta.

Mungesa e kaliumit është vërtet vdekjeprurëse. Njerëzit që kanë mungesë kronike përballen me probleme të rrezikshme kardiovaskulare.

Mungesa është më e zakonshme tek njerëzit që e humbasin shpejt kaliumin nëpërmjet urinës ose jashtëqitjes, si ata që abuzojnë me laksativët dhe diuretikës, ose kanë çrregullime gastrointestinale, diabet të pakontrolluar ose diarre. Djersitja e tepërt bën gjithashtu që ta nxirrni shpejt kaliumin nga trupi.

Nga plogështia dhe lodhja deri tek ngërçet muskulore, ja cilat janë 6 simptomat që paralajmërojnë për mungesë të kaliumit:

Keni rrahje të çrregullta zemre

Nga e moderuar deri kronike, mungesa në kalium mund të shkaktojë aritmi kardiake ose rrahje të çrregullta zemre, sidomos nëse jeni tashmë në rrezik të lartë nga sëmundjet e zemrës. Studimet kanë treguar se 7-17% e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare vuajnë nga hypokalemia. Kjo për shkak të ndikimit tek kontraktimi muskulore dhe si pasojë edhe tek funksioni i zemrës.

Nëse ndieni rrahje të shpejta zemre apo luhatje, duhet të flisni me mjekun. Rrahjet e çrregullta të zemrës mund të jenë shumë të rrezikshme dhe mund të çojnë në arrest kardiak – që mund të jetë fatale.

Keni gjithashtu mungesë edhe në magnez

Magnezi, një mineral që është i përfshirë në qindra reaksione kimike në trup – transporton në mënyrë aktive kaliumin në të gjitha qelizat. Prandaj, nëse bien nivelet e magnezit – i cili gjendet tek spinaqi, frutat e thata, qumështi i sojës, fasulet, avokado dhe gjalpi i kikirikut – mund të keni nivele të ulëta edhe të kaliumit. Në fakt, më shumë se 50% e personave me mungesë të theksuar në kalium kanë gjithashtu mungesë edhe në magnez.

Keni tension të lartë të gjakut

Kaliumi dhe sodiumi janë të balancuara në trup. Ka të dhëna që tregojë se nëse nivelet e sodiumit janë shumë të larta dhe nivelet e kaliumit janë shumë të ulëta, mund të shkaktojnë luhatje të tensionit të gjakut, duke rritur rrezikun për goditje në tru.

Kur konsumoni shumë ushqime të kripura, keni presion të lartë në enët e gjakut. Por, duke qenë se kaliumi ndihmon në nxjerrjen jashtë të mbetjeve, mund të parandalojë disa nga efektet dëmtuese në zemër të kripës së tepërt.

Kaliumi mund të relaksojë gjithashtu enët e gjakut, duke ndihmuar kështu edhe në uljen e tensionit të gjakut.

Keni gurë në veshka

Gurët në veshka janë masa të forta të mineraleve që formohen brenda veshkave. Kalimi i tyre nëpërmjet urinës mund të jetë jashtëzakonisht e dhimbshme, megjithatë nuk shkaktojnë shumë probleme nëse i diagnostikoni dhe trajtoni në kojë. Një studim i kryer tek më shumë se 90 mijë gra të moshës 34-59 vjeç ka zbuluar se ato kishin 35% më pak rrezik që të zhvillonin gurë në veshka pasi ndoqën një dietë me më shumë se 4,099 miligramë kalium në ditë, krahasuar me gratë që morën më pak se 2,407 miligramë.

Gurët që përmbajnë kalcium janë lloji më i përhapur, dhe duke qenë se kaliumi ndihmon në nxjerrjen e tepërt të kalciumit nëpërmjet urinës, mosmarrja mjaftueshëm mund të shkaktojë zhvillim të tyre.

Ndiheni të plogësht dhe të lodhur

Ka një sërë faktorësh që mund të shkaktojnë rënie të nivele të energjisë, si dehidratimi, ilaçet ose edhe gjendje të caktuara shëndetësore. Por, nëse keni fjetur mjaftueshëm dhe përsëri ndiheni të dobët, plogësht dhe të përgjumur gjatë gjithashtu ditës, duhet të kontrolloni dietën për të parë nëse po merrni mjaftueshëm kalium.

Keni ngërçe muskulore

Nëse përjetoni vazhdimisht ngërçe muskulore në këmbë, mungesa në kalium mund të jetë shkaku, duke qenë se humbisni elektrolite (përfshirë edhe kaliumin) gjatë një aktiviteti fizik të vështirë.

Nivelet e ulëta të kaliumit mund të çojnë në dobësi, lodhje dhe ngërçe.

Ushqimet e pasura në kalium

Mënyra më e mirë për të përftuar dozën e rekomanduar të kaliumit (4,700 miligramë çdo ditë) është të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vetëm 1 në 10 të rritur marrin sasinë e duhur të frutave dhe perimeve. Banania njihet si fruti me më shumë kalium,

megjithatë edhe shumë ushqime të tjera kanë përmbajtje të lartë në këtë lëndë ushqyese, si: jeshillëqet, domatet, kastravecët, patëllxhani, avokado, kungulli, patatet, karotat, kumbullat, produktet e bulmetit, mishi i viçit, shpendëve dhe peshkut, si dhe frutat e thata.

Mjeku mund t’ju rekomandojnë edhe suplemente të kaliumit nëse keni ndonjë problem shëndetësor. Nuk duhet të harroni që marrja vetë e suplementeve të kaliumit mund të jetë e rrezikshme dhe të shkaktojë probleme me ritmin e zemrës apo edhe arrest kardiak, prandaj konsultohuni gjithmonë me mjekun nëse doni të merrni më shumë nga kjo lëndë ushqyese në formën e pilulës, (shëndeti).

SHKARKO APP